Hetimet ndaj këngëtarit dhe producentit të njohur Sean “Diddy” Combs kanë hyrë në një fazë të re, pasi prokuroria amerikane ka kërkuar që videot e sekuestruara gjatë bastisjeve në rezidencat e tij në Los Angeles dhe Miami të përdoren si prova në procesin gjyqësor që pritet të nisë së shpejti.

Sipas mediave ndërkombëtare, pamjet filmike përmbajnë skena eksplicite dhe konsiderohen si dëshmi të mundshme për abuzime që lidhen me trafikim seksual dhe shantazh — akuzat kryesore që rëndojnë mbi Diddy-n. Autoritetet i kanë cilësuar videot si “tronditëse” dhe me përmbajtje të ndjeshme, që përfshijnë disa viktima të mundshme.

Në të njëjtën kohë, avokatët e Diddy-t po përpiqen të kufizojnë ndikimin e këtyre materialeve në proces. Ata kanë propozuar një pyetësor të hollësishëm për përzgjedhjen e anëtarëve të jurisë, me pyetje që lidhen me gatishmërinë e tyre për të parë materiale të rënda vizuale. Prokuroria, nga ana tjetër, e ka kundërshtuar këtë qasje, duke e cilësuar si përpjekje për të ndikuar në përbërjen e jurisë.

Gjykimi pritet të zgjasë rreth tre javë, por përfshirja e materialeve të reja mund ta shtyjë procesin më tej në kohë. Rasti ndaj Diddy-t pritet të jetë një ndër më të bujshmit në industrinë e muzikës në vitet e fundit, duke tërhequr vëmendjen e gjerë të publikut dhe mediave në mbarë botën.