I rrethuar nga misteri është rasti i gruas që u gjet gjysmë e zhveshur në një rezidencë në Forbac, në Francën lindore.

Ajo pohoi se bashkëshorti i saj, i cili u arrestua menjëherë, e mbante rob në banesë prej 12 vitesh.

Tashmë autoritetet po flasin për një “robëri” që ishte produkt i imagjinatës dhe po përgatiten të lirojnë bashkëshortin.

Në deklaratat e së martës, prokurorja tha se robëria është një “realitet inekzistent”, megjithëse gruaja i qëndron asaj për të cilën akuzoi burrin e saj.

Gruaja 53-vjeçare gjermane thuhet se thirri shërbimet e urgjencës në Ëiesbaden, Gjermani të dielën vonë duke thënë se ajo ishte rob dhe viktimë e përdhunimit.

Menjëherë është njoftuar policia franceze, e cila ka vijuar arrestimin e 55-vjeçarit gjerman dhe dërgimin e gruas në spital.

Policia e gjeti gruan gjysmë të zhveshur, me kokë të rruar, por në banesë nuk kishte asnjë gjurmë gjaku.

Prokurori tha të hënën se pranë gruas u gjet një telefon fiks, të cilin ajo mund ta kishte përdorur.

Të martën ai shtoi se gruaja kishte akses në një televizor dhe një kompjuter. Brenda banesës ishin duke u tharë të brendshme të pastra të gruas.

Një ekzaminim mjekësor në spital nuk tregoi asnjë frakturë apo çarje dhe asnjë dehidrim, siç u raportua fillimisht nga mediat në Francë.

Prokurorja ia atribuoi gjendjen e keqe sëmundjeve autoimune që i shkaktuan reumatizmin dhe kokën e rruar alopecisë, por këtë e argumentoi edhe bashkëshorti.

Të martën, prokurori raportoi se nuk u konstatuan gjurmë të dhunës seksuale , siç pretendonte gruaja.

Bashkëshorti, i cili mbahej nën akuzën e rrëmbimit, torturës dhe përdhunimit, do të lirohet më vonë gjatë ditës. Për të dy është urdhëruar një ekzaminim psikiatrik.

Fqinjët mendonin se ajo ishte e sëmurë

Versioni i sëmundjes ishte i njohur për fqinjët, të cilët flisnin për një burrë të qetë dhe modest që ushqente macet endacake.

Gjermani trupmadh “thoshte vetëm mirëmëngjes”, thanë fqinjët, megjithëse ka mundësi që ai të mos fliste shumë sepse nuk fliste mirë frëngjisht.

Fqinjët i thanë Le Point se burri ishte punëtor në Gjermani por kishte mbetur i papunë.

53-vjeçarja ishte e padukshme për fqinjët, megjithëse ata mund të dëgjonin britma të cilat ata ia atribuonin kancerit që ata e dinin (ose mendonin) se ajo vuante.

“Një herë në dy ose tre ditë dëgjonim britma që do të pushonin për pesë minuta”, tha një fqinj.

Në vitin 2019, një fqinj kishte bërë një denoncim për shqetësim, por policia nuk gjeti asgjë të denjë për diskutim.

Autoritetet po përqendrojnë hetimin e tyre në këtë gjendje të brishtë të shëndetit të gruas. Për momentin nuk është konstatuar asnjë indikacion se gruaja kishte marrë ndihmë mjekësore, por një hetim duhet të bëhet edhe në Gjermani.

Burri tha se gruaja e tij është e sëmurë rëndë, por pa specifikuar natyrën e sëmundjes.

Dje prokurori foli për një gjendje që ka prekur gruan, e cila nuk ka marrë kujdesin e duhur mjekësor. Në çdo rast, ai mbajti një profil të ulët për rastin, duke mohuar disa raporte fillestare për tortura sistematike.