Dy të rinj ranë në prangat e policisë në Kamëz, pasi akuzohen se morën peng në makinë një djalë të mitur të cilit i vodhën me dhunë një varëse floriri. Burime zyrtare të policisë thonë se ngjarja ndodhi në Bathore, ndërsa të arrestuarit janë dy të rinj të moshës 21 vjeç.  

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se dy shtetas i kishin marrë me dhunë varësen, një të mituri, në Bathore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Pressure”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve:  E. M., 21 vjeç dhe R. Sh., 21 vjeç, të dy banues në Kamëz.  

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 2 shtetas, në Bathore, kanë futur në automjetin e tyre, një shtetas të mitur, pa dëshirën e tij, dhe i kanë marrë me dhunë varësen e floririt që mbante në qafë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan varësja e floririt, një aparat celular dhe automjeti i përdorur nga 2 autorët e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.