Kryeministri Edi Rama, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtoresha e ISHP, Silva Binoka kanë inspektuar sot nga afër procesin e vaksinimit të të moshuarve +80 vjeç në Durrës.
Në ambientet e brendshme të pallatit të sportit “Ramazan Njala”, janë ngritur 10 poste vaksinimi për moshën e tretë të qytetit bregdetar, për të cilët ministrja Manastirliu tha se përzgjedhja është bërë nga mjeku i familjes, i cili është ai që e përcakton mbi bazën e ditëlindjes.
Ndërsa kontrollonte procesin e vaksinimit dhe përshëndetej me të moshuarit, një prej tyre e falenderoi kryeministrin Rama duke i uruar këtij të fundit të marrë nga ditët e tija.
Rama: Xhaxh me shëndet! Si jeni mirë? Mos luani! Tani mund të dilni rehat!
I moshuari: Rrofsh sa malet, marrsh nga ditët tona.
Rama: Jo, larg qoftë nga ditët tuaja.
Shefja e epidemiologjisë, Silva Bino u shpreh se në qendrën e vaksinimit në Durrës kanë ardhur më shumë burrat se gratë, ndërsa kreu i qeverisë tha se burrat kanë më shumë frikë se zonjat e tyre.
Silva Bino: Ka më shumë burra se gra.
Rama: Kanë më shumë frikë burrat se gratë.
Qytetari: Kam ardhur vullnetar.
Rama: Po pse vini para grave.
Qytetari: Unë jam trim.
Rama: Para gruas nuk je më trim, harroje!
Manastirliu u shpreh se janë drejt përfundimit vaksinimet e bluzave të bardha, si dhe me ardhjen e vaksinës AstraZeneca, në mes të muajit mars do të nisin vaksinimet e mësuesve, me 14 mijë dozat e para.
“Do të fillojmë me mësuesit dhe do të bëjmë një vaksinim siç e kemi menduar në shkolla. Jemi duke përzgjedhur infermierët të cilët fillojnë trajnimin brenda kësaj jave. Mjekët dhe infermierët mbarojnë brenda 15 marsit sepse ka mjekë dhe infermierë që e kanë kaluar dhe mund ta bëjmë në një fazë të dytë. Ky është një vlerësim që po e bëjmë në dinamikë. Në tërësi janë më shumë se 11 mijë mjekë dhe infermierë që e kanë kryer deri më tani vaksinimin”, tha Manastirliu.





