Për 15 vite me radhë ka pësuar dhunë sistematike nga bashkëshorti, duke iu rrezikuar edhe jeta, madje në disa raste janë dhunuar edhe 2 fëmijët më të mëdhenj.

Nëna e tre fëmijëve të mitur i trembet rikthimit të bashkëshortit në liri, pasi siç pohon dhe vetë, ai mund ta çojë deri në fund dhunën ekstreme karshi saj.

“Me hekura, me shkop, me çfarë t’i dilte para më ka goditur. Edhe djalin dhe vajzën i ka goditur ndonjëherë. E kam denoncuar, bëri burg, doli dhe më goditi me thikë. Falë institucioneve jam sot në këmbë, sepse nëse nuk do të kishin qenë ato, fëmijët e mi do të përfundonin në rrugë. Eshtë e vështirë t’i rris fëmijët, janë ende të vegjël. I tremben edhe daljes së burrit nga burgu, pasi punën që ka nisur mund ta çojë deri në fund….”,– rrëfen gruaja (identitetin e së cilës për arsye sigurie nuk po e zbulojmë) për mikrofonin e “DurrësLajm”.

Si rasti i kësaj gruaje ka me dhjetëra të tjera, madje Durrësi renditet ndër qarqet me numrin më të madh të rasteve të dhunës në familje.

Për këtë arsye, fushatat sensibilizuese janë një domosdoshmëri, sidomos në këtë periudhë, kur në të gjithë botën zhvillohet fushata e përvitshme “16 ditët e aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Një marshim ndërgjegjësues “Ecim Drejt një të Ardhme pa Dhunë”  u zhvillua sot në Durrës, të cilit, pavarësisht kushteve të papërshtatshme të motit, iu bashkuan drejtues vendorë, aktivistë të qendrës “Fuqizojmë komunitetin”, qytetarë dhe shumë të rinj e të reja. 

“Manifestojmë sot në shenjë solidariteti kundrejt gjithë viktimave të dhunës për shërbimet dhe ndihmën që u jepet në qytetin e Durrësit, që ato të mos ndihen vetëm”,– tha ndër të tjera aktivistja Fabiola Egro.

Pavarësisht ndihmës institucionale dhe punës së shumë shoqatave dhe organizatave, shifrat e grave dhe fëmijëve të dhunuar mbeten të larta.

“Këtë vit kemi pasur mbi 105 raste të grave të dhunuara, të cilat ne i kemi monitoruar dhe referuar në qendrat tona dhe 63 fëmijë që kanë pasur urdhra mbrojtjeje Eshtë shumë e rëndësishme që angazhimi që kanë institucionet të bashkërendohet me shoqërinë civile, me mediat”,– deklaroi kryebashkiakje Emiriana Sako.

Të pranishëm në marshim dhe ceremoninë e zhvilluar më pas ishin edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP në Shqipëri, Randi Davis, si dhe këshilluesi i lartë teknik në USAID, Adam Nolken, të cilët theksuan gjatë fjalës së tyre se shifrat e dhunës janë vërtet tronditëse, pasi 1 në 3 gra dhunohet në të gjithë botën.

Përgjatë një viti, qendra “Fuqizojmë komunitetin” u ka ardhur në ndihmë 25 grave dhe 45 fëmijëve, 9 prej të cilëve kanë përjetuar dhunën në familje. 

M.B.