16 institucione arsimore të Durrësit, mes të cilave shkolla 9-vjeçare, të mesme dhe studentë të UAMD-së, u bënë bashkë në një aktivitet sensibilizues për mbrojtjen e ambjentit në kuadër të Ditës Botërore të Tokës.

Me pankarta dhe thasë me mbeturina plastike ndër duar, dhjetra nxënës, studentë, mësues e pedagogë u nisën paralelisht nga stacioni i trenit dhe shkolla “Olsi Lasko” për t’u takuar tek Ura e Dajlanit.

Marshimi vjen në një kohë, që mbrojtja e mjedisit është “temë e nxehtë” dhe një problem shqetësues për mbarë botën, prandaj nuk munguan as mesazhet sensibilizuese për edukim mjedisor dhe riciklim.

Ndryshimin duhet ta fillojmë nga vetja jonë, nga familja jonë për mbrotjen e tokës dhe detit nga ndotjet”, tha ndër të tjera dekani i Fakultetit të Biznesit, Shkëlqim Fortuzi.

Në Ditën e Tokës ne duhet të aktivizohemi që të mos e ndosim më ambjentin me mbetje plastike, por t’jua dhurojmë shkollave e universiteteve dhe t’i kthejmë në mjete shkollore“, u shpreh Laura Gjyli, përfaqësuese e lëvizjes “RiverCleanUp Albania”, ndërsa drejtoresha Merita Kuçi risolli në vëmendje “pushtimin” e bregdetit të Durrësit nga mbetje të gjithëfarëllojshme disa ditë më parë, si një “dëshmi e rëndësisë dhe vlerës për ruajtjen e mjedisit”.

Ky është aksioni i 22-të i organizuar nga “RiverCleanUp Albania” gjatë të cilit u mblodhën rreth 600 kg mbeturina plastike.

Marshimi u mbyll pranë bregdetit të Durrësit, ku, në shenjë solidariteti, të pranishmit formuan me trupat e tyre fjalën “Earth Day” dhe bënë një bashkim duarsh si simbol i përkushtimit ndaj mbrojtjes mjedisore.

Kujtojmë se pak ditë më parë bregdeti i Durrësit u tejmbush në një gjatësi prej 4 kilometrash nga mbetje të ndryshme plastike, dëshmi kjo e rrezikut potencial që i kanoset mjedisit nga veprimtaria njerëzore.

M.B.