Divorci është pjesë e çdo shoqërie dhe e ka shoqëruar atë në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Mirëpo shkaqet e divorcit ndryshojnë nga shoqëria në shoqëri dhe nga koha në kohë. Shkaqet janë: emancipimi i femrës, ndryshimi i strukturës së brendshme të familjes, mospranimi i këtyre ndryshimeve nga meshkujt, mosmarrëveshjet në çift, tradhëtitë etj. Baza e familjes së sotme është tronditur rëndë dhe numri i divorceve është rritur ndjeshëm, aq sa konkuron numrin e martesave. Fenomenet negative si alkoolizmi, konsumimi i lëndëve narkotike,  bixhozi etj., që kanë prekur shoqërinë tonë reflektohen edhe në familje duke çuar jo pak çifte drejt shkurorëzimit. Në të njëjtën kohë shtimi i numrit të femrave që punojnë ka krijuar tek femrat pavarësinë financiare duke i bërë njëkohësisht ato më të pavarura në vendimet që marrin. Dashuritë e nisura në bankat e shkollave, në ambientet e punës apo në udhëtime të këndshme, të kurorëzuara më pas me martesë me kalimin e viteve duket sikur veniten. Grindjet dhe mosmarrëveshjet i çojnë shpesh çiftet në dyert e gjykatës për t’I dhënë fund lidhjes martesore.

Jonik Berisha: Ç’mendim keni për ndarjet (divorcet), të cilat 10 vitet e fundit janë shtuar shumë në Shqipëri. Ndodhin sepse ka mospërputhje karakteri, apo zhgënjim aparence?

SAVA: Divorcet ndodhin, sepse tek ne familja nuk është primare dhe fukarallëku degradon çdo gjë. Personi i duhur është vështirë të gjendet sidomos për brezin e ri. E keni idenë se sa shumë është përhapur tradhtia? Të tradhëtosh do të thotë, të mos kesh respekt për familjen. Unë mendoj se këto femra mund të divorcohen, sepse ne jetojmë në një vend të prapambetur në aspektin e mentalitetit, qëndrojmë bashkë duke duruar çdo lloj ofeze, sepse jemi të diskriminuara. Më thoni nëse ndahen nga bashkëshorti këto femra ku do të shkojnë? Si do të jetojnë? Jeta është e vështirë. Ka plot femra që janë të pa shkolluara e nuk kanë asgjë.

Nimfa Sophia Bega:Mundësi individuale të individëve për të zhvilluar personalitetin. Vite përpara ishin të detyruar për arsye që të gjithë i dimë, sot njeriu arrin të zgjedhë, në të mirë e në të keq. Këtu në Shqipëri për hir të të ashtuquajturës " familje" zgjasin e bëjnë tërkuzë raporte të vdekura, vetëm për hir të familjes. A e keni idenë sa gra e ndjejnë veten se janë të tradhëtuara dhe vazhdojnë të rrijnë me të ashtuquajturin burrë? Vetëm për atë façiatën publike, për sy e faqe si i thotë populli, për hir të mbajtjes së integritetit të familjes!

Iljaz Bajraktari: Sot, në këtë kohë jeta është shumë intensive dhe e përhapur. Është shumë fatlum ai që gjen personin adapt për të ndarë jetën dhe sidomos në kohën e duhur. E rëndësishme është të mos e humbësh atë që ke, për atë që e ka. Fjala divorc është fundi i fundit. Nuk jemi dhe aq të lirë të ndërtojmë jetët tona. Divorcet vijnë: së pari, sepse dashuria mes çiftit është e dyshimtë, së dyti papjekuria për jetën dhe dhënia pas gjërave dytësore siç janë aparenca, fama, pasuria, së treti vjen nga ana ekonomike ku çifti përballet me fukarallëkun dhe e fundit stresi urban.

Jonik Berisha: Në vendin ku bëja plazh në Durrës, femrat më të bukura ishin pothuaj të fejuara e të ndara. Më habiti ky fakt, por kjo jo vetëm mua, por shumë djemve që ishin me mua për pushime në Durrës. Unë besoj se kemi krijuar shumë liri. A nuk është e drejtë që peri t’i ngjajë gëzofit? Tek ne kanë filluar t’a shohin jetën si në telenovelë, por realiteti është shumë i ashpër. Disa janë me fat them edhe unë, po kur e kanë fatin në dorë, pse dreqin e humbasin. Kisha dëshirë të dija ndonjë shkak, sepse më habit fakti që shumë femra të bukura dhe me shkollë të lartë, punësim intelektual janë të divorcuara. Nuk mund të them po të njëjtën gjë për meshkujt.

Elona Marika: Jemi të lirë të ndërtojmë jetët tona. Mjafton të kuptojmë çfarë duam. E humbasin fatin, sepse mbase gjërat i vlerëson kur i humb, nëse nuk ke inteligjencën e duhur. Është e vërtetë që zgjasin e bëjnë tërkuzë raporte të vdekura, por nuk e bëjnë për të ruajtur familjen, por për sytë e botës. Ndarja ndodh, kur mungon interesi dhe gjërat e përbashkëta. Gjithsecili e ka në dorë fatin e tij. Nuk duhet të varet nga tjetri. Pa mendoni pak fëmijët që rriten në ambjente të tilla, mes dhunës, sharjeve, ofendimeve. Njeriu pasurinë e krijon, nuk mund ta gjejë gati, sepse po skllav mbetet. Nëse dy persona shohin që nuk janë bërë për njëri-tjetrin është më mirë të ndahen. Pastaj tek ne nuk janë shumë pro bashkëjetesës. Dy njerëz që të njihen siç duhet, duhet të jetojnë bashkë. Tek ne në Shqipëri kanë faj si meshkujt dhe femrat. Ka shume motive ku triumfon injoranca, inteligjenca, mosdalja, ambienti familjar, llaçkat që janë vërdallë, "biznesmenë"që kanë dalë nga hiçi e kujtojnë se janë perëndia. Çdo gjë varet nga karakteri. Karakteri i dobët bie shpejt viktimë, si mashkulli dhe femra.

Çela Kastriot: Ndarja ndodh, sepse zbulohet që nuk ka ekzistuar dashuria, por thjesht ka qenë dëshirë seksuale, ose interesa të tjera. Divorci mund të jetë edhe dëshirë, nostalgji për të qenë përsëri i lirë, apo thjesht mbarimi i një eksperience dhe dëshira për të filluar një eksperiencë të re. Martesa është ai institucion, që lejon dy persona që të përballojnë bashkë vështirësitë e jetës. Nëse nuk janë të aftë të përballojnë këto vështirësi, të mos martohen.

Jonik Berisha: Po aparenca? Shohim shumë “vipa” të shoqëruar me femra shumë të mira e më pas ndodh që ndahen. Nuk është se kërkojmë më shumë se meritojnë? Mendimi im është se femrat janë të zhgënjyera, për më tepër nga aparenca dhe sapo marrin vesh kreditë 20 vjeçare bëjnë retromarcia direkte. Në shtëpinë time kemi pasur grindje në familje si çdo familje shqiptare. Tek ne këto grindje krijoheshin vetëm nga mërzia ekonomike,(para shumë viteve), për të tjerat kemi qenë shumë të lidhur. Unë kam një familje të madhe. Mbase e kam gabim, por mua më duket se në Shqipëri aparenca është më e bujshme se dashuria. Shumë kollaj arrin të bësh për vete femrat kur bën “Vipin” kur nuk je i tillë, të njihesh e të mashtrosh dhe e bukura është që shumë të besojnë. Njeriu duhet të shikohet në pasqyrë, të dijë vlerat që posedon dhe mos t’i shtrijë këmbët më shumë nga çka jorganin. Unë kam krijuar idenë se në Shqiperi, kur ke aparencë ke zotin në krah dhe po ju them vërtetë, se kam jetuar në Durrës, si pa lekë, si në këmbë, si me makinë normale e deri tek luksozet. Ne vdesim një çikë për të rënë në sy, siçcunat po ashtu dhe gocat vdesin për njerëz me lekë, sa arrijnë të gabojnë deri tek gjërat më të shtrenjta, vitet e jetës. Kur njerëzit kuptojnë se ndjenjat nuk kanë çmim blerje dhe kur paratë fillojnë të mbarohen këshillohet një ndarje në një studio avokatie. Më mirë, se mbase përfiton ndonjë pronë, të cilën e kishe në mendje që në momentin që e njohe partnerin.

Alma Keta Oshafi: Veprime të nxituara, kanë ndezur vetëm dritat e shkurtra. Jeta ka taste të bardha e të zeza, por lum kush mundohet që për hir të familjes të krijojë marrëdhenie të konsoliduara dhe të ngritura mbi bazën e mirëkuptimit. Ka kaq shumë arsye, por përpjekjet për "ndërmjetësim" nuk gjejnë gjuhën e përbashkët. Jam në kontakt çdo ditë me fëmijë që vijnë nga familje të divorcuara dhe të shikosh sytë e fëmijëve të këtyre prindërve të vjen vërtetë kaq keq. Jo më larg se sot, një fëmijë në klasën e parë qante për gjyshin, e ëma nuk e mban se thotë jam në punë. Si mund t'i vejë filli këtij fëmije? Pra problemet sociale gërshetuar me ato ekonomike dhe mentalitetin janë kaq komplekse. Po të hysh në detaje ka kaq shumë arsye ku asnjëra nuk ka ngjajshmëri me tjetrën, por në përgjithësi dominojnë rastet e çifteve të martuara në moshë të re, me pak kohë bashkëjetese, apo ato rastet kur kanë pritur një jetë mondane. Nëse e kthejnë kokën për të parë ku ishin, ose të bëjnë një bilanc të anëve pozitive dhe negative dhe të shohin nga anon peshorja ndoshta arsyetojnë. Prishja e familjes është gjëja më e lehtë. Lum kush e mbron.

Anila Liti Mejdani: Duhet ta konsideroni veten me shumë fat, ju që nuk keni parë kurrë një familje ku përdoret dhuna (psiqike ose fizike). Tani janë ndërgjegjësuar dhe prindërit. Nëse njëherë e një kohë dëgjoje budallallëkun e tipit "martesa është fat, ai të ra për pjesë, duro se do na qeshin bota", tani gjithnjë e më shpesh janë prindërit që thonë "ngrihu e hajde në shtëpi, se nuk je jetime". T’ju përshkruaj dy çifte në lagjen time: i pari- gruaja punon gjithë ditën, ndërsa burri i papunë ka marrë përsipër shtëpinë dhe fëmijët. Shkojnë shkëlqyeshëm dhe janë për mrekulli. I dyti- gruaja punon gjithë ditën, ndërsa burri i papunë rri gjithë ditën rrugëve, muhabet dhe birra, fëmijët të mbetur në klasë. E mos më thoni që nuk duhej të ndahej çifti i dytë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për durim, bëhet fjalë për drejtësi. Unë e di që në fillim, të gjitha çiftet e kanë me dashuri, ose me qejf të madh martesën. Në fillim të gjithë japin më të mirën e mundur (nganjëherë mbase dhe me zor, ose dhe hipokrizi). Problemi është çfarë na mbetet kur kalon entuziazmi. Nëse nuk mbetet as ndjenjë, as respekt atëherë ndarja është zgjidhja më e drejtë për të dyja palët.

Dario Kodra:Theksoj diçka që nuk e kuptoj. Ajo kërkoi nga ai një botë që nuk e njihte, plot surpriza, gëzim, pasuri pa menduar realitetin, punën, lodhjen, krijimin e një familjeje. Ajo lundronte akoma në imagjinatën e saj të luksit. Ai djalë e kishte gënjyer shumë dhe kjo mënyrë e kishte bërë shumë afashinant këtë djalë në sytë e kësaj vajze. Asaj iu duk diçka magjike. Një ditë ajo u lodh dhe i thotë: më kishe premtuar shumë dhe unë të besova, tani më takon të punoj për një çapë bukë, me zor e arrij fundin e mujit. Ç'mu desh mua që të besova është më mirë të iki.

Aneo Zhurka: Ndarja është epilogu i një libri fantastiko-shkencor. Kush është shkaku i ndarjes? Bashkimi nëpërmjet martesës, apo çfarëdolloj bashkëjetese qoftë ajo. Dy njerëz janë dy botë të ndryshme, ajo që fillimisht i bashkon, ajo i ndan, sepse të dyja palët kërkojnë të bëjnë skllav njëri-tjetrin. P.s. Nuk mund t’a shpëtosh dot familjen, sepse ajo është një krijesë artificiale.