Ministria e Punëve të Jashtme ka shkarkuar nga detyra konsullen shqiptare në Milano, Luljeta Çobanajn, një ditë pas denoncimit në emisionin investigativ “Stop” në lidhje më një rast korruptiv, në Konsullatën Shqiptare në Milano.
Në një njoftim zyrtar për shtyp, MPJ-ja thekson se për rastin në fjalë, do të ketë një hetim të plotë për të identifikuar të gjitha përgjegjësitë e mundshme.
Në puntatën e djeshme të emisionit investigativ “Stop”, u transmetua një rast korruptiv, ku në Konsullatën Shqiptare në Milano, kundrejt një pagese prej 1 mijë eurosh mund të merrje një certifikatë martesë, pa pasur asnjë lloj vërtetimi apo dokumenti nga njësia administrative përkatëse në Shqipëri.