Për gjithë të interesuarit rreth emigracionit në SHBA dhe posaçërisht atyre që janë lidhur me martesë gjatë procesit të deportimit, vijnë këto sqarime shumë të vlefshme nga Avokati Kieran Both.

   Pyetja:

Unë jam shtetase amerikane. Kam dorëzuar në Emigracion formularin I-130, kërkesë për bashkimin me burrin tim. Ne u martuam në 5 gusht, 2016. Ai ishte në proces deportimi atë kohë. Gjykatësi e shtyu dëgjimin kështu që të kishim mundësi të bënim intervistën. Mua më erdhi një letër nga Emigracioni që thoshte:

“Pas nje rishikimi të plotë të kërkesës suaj sëbashku me evidencat që keni paraqitur, për fat të keq duhet t’u njoftojmë se ju nuk keni prova të mjaftushme për të vërtetuar që martesa juaj është lidhur në mirëbesim reciprok, ndaj kemi për qëllim tu refuzojmë kërkesën. Prandaj u japim një periudhë prej 30 ditësh, kohë gjatë së cilës duhet të dorëzoni evidenca bindëse për të vërtetuar çështjen në favorin tuaj. Nëse nuk do të marrim përgjigje nga ana juaj brenda kësaj periudhe, kërkesa juaj do të refuzohet, siç thuhet më lart.”

Avokat, ju lutem na thoni se ç’mund të bëjmë. Ne ende s’kemi dalë në intervistë.

Ju falenderojmë paraprakisht.

DS

Marin, Ca.

Përgjigje: Ju keni marrë një letër ( NOID) nga Emigracioni, që siç spjegohet më lart Emigracioni ka për qëllim t’ua refuzojë kërkesën për bashkim me bashkëshortin tuaj, nëqoftëse nuk dorëzoni prova të tjera që vërtetojnë që martesa juaj është e regullt dhe nuk është bërë për qëllim të evitimit të deportimit. Ka disa lloj provash që mund të paraqisni në këtë fazë të martesës suaj. Fakti që jeni martuar me bashkëshortin tuaj kur ai ndodhej në proces deportimi, provat tuaja duhet të jenë më të forta e më bindëse, dmth të një standarti më të lartë se zakonisht. Ju duhet të vërtetoni me evidence të qarta dhe bindëse se martesa juaj u lidh në përputhje me ligjet dhe në mirëbesim të plotë nga të dy palët.

Ju duhet të paraqisni evidenca ose prova si më poshtë:

  • Dokumentacion që vërteton pronësinë e përbashkët( me të dy emrat);
  • Sigurimin shëndetsor që liston bashkëshortin tuaj;
  • Pagesa e taksave mbi të ardhurat;
  • Pagesa e qerasë së  përbashkët të banesës.
  • Licenca e makinës me të njëjtin adresë;
  • Deklarata të  përbashkëta financiare;
  • Çertifikatën e lindjes së fëmijës (të lindur) nga martesa juaj me  bashkëshortin;

Ne gjithashtu sugjerojmë që të dorëzoni deklarata të palëve të treta që u njohin dhe vërtetojnë marrëdhënien tuaj martesore si reale. Personave të tillë mund t’u kërkohet të dëshmojnë para emigracionit përsa i përket informacionit që përmban deklarata. Këto deklarata duhen bërë me betim dhe të noterizuara.

Çdo dokument tjetër mund të dorëzohet vetëm nëse është relevant. Ne rekomandojmë që të përfshini një indeks të dokumentave pasi është e rëndësishme të rishikoni paraprakisht me kujdes të gjitha dokumentat për t’u siguruar që i keni të gjitha ashtu siç u kërkohen. I kontrolloni dy herë. Nëse bashkëshorti juaj ka hyrë në SHBA me vizë, duhet të rishikoni gjithashtu informacionin për aplikimin për vizën. Mos harroni se përdorimi i faqeve publike si Facebook mund të përmbajë informacione që bien në kundërshtim me dokumentet dhe dëshminë që ju i jepni USCIS-it. Shpesh njerëzit thonë gjëra për veten e tyre në internet dhe shkruajnë gjëra kontradiktore në formular. USCIS përdor informacione të dhëna në publik gjatë hetimeve të peticioneve për viza.

Nëse emigracioni ua refuzon kërkesën, ju keni dy opsione primare nëse dëshironi të vazhdoni. Ju mund të ri-aplikoni, ose të apeloni në Bordin e Apelimit të Emigracionit (BIA). USCIS në përgjithësi e gjykon një peticion të paraqitur rishtazi për vizë më shpejt se BIA një apel. Dhe një aplikim i ri u lejon paraqitjen e  provave të reja. Pengesa kryesore, megjithatë, është se peticione të reja zakonisht depozitohen në të njëjtën zyrë, e cila tashmë ua ka mohuar kërkesën e parë.

Ka shumë çështje të tjera që lidhen me rastet e martesës që aplikantët mund të kenë nevojë të dinë. Nëse lexuesit tanë dëshirojnë të mësojnë më shumë për vizat e emigrantëve për bashkëshortët, vizat e të fejuarve dhe green card, ju lutemi të vizitoni faqen e internetit të USCIS në www.uscis.gov

/Illyria/