Trajneri i Teutës, Edi Martini, është i lumtur që skuadra e tij mori një pikë në barazimin përballë Egnatias në transfertë, në një moment të komplikuar për renditjen e durrsakëve.
“E dinim çfarë ndeshje ishte, forcën e Egnatias, ka ekip shumë-shumë të mirë. Në pjesën e parë bënim presing lart që të mos lejonim të afrohen te porta jonë edhe pse kanë kualitete që e bënë këtë gjë. U munduam që të mos binim në presionin e tyre, besoj se ia arritëm. Në pjesën e dytë tentuam të shkonim lart. Por mungesat ishin të shumta e nuk kishim forca të shumta në sulm. Mesfushën nga katër e kthyem me 5, se u shtuan forcat e Egnatias. Them se bëmë mirë në një fushë shumë të tensionuar siç ishte sot me një ekip siç është Egnatia.
Unë kisha Kotobellin, Dajën, Qaqin e Arifin të dëmtuar. Edhe pse Arifi e Daja po t’i sforcoja mund t’i fusja, por kisha frikë. Duke pasur parasysh kontingjentin, jam shumë i kënaqur te kjo pikë, paçka se dëmtimet edhe me Faust që u fut dhe u dëmtua përsëri, ishim shumë të kushtëzuar. I përgëzoj djemtë se luajtën, vuajtën deri në sekondën e fundit dhe ia dolën të marrin një pikë me shumë vlera.
Jam i sigurt që në ditën e shtunë lojtarët do të jenë në dispozicion edhe pse Fili me Rodin e kanë të pamundur. kthimi i katër prej tyre me ngroh, edhe ata që luajtën sot, edhe të rinjtë që u futën, jam i sigurt që do ia dalim.
Kupën? Do ta sulmojmë patjetër, ju do të thoni që nuk kemi lojtarë mjaftueshëm për dy fronte. Por një ndeshje është, do të sforcohemi të gjithë, kam djem që jetojnë për futbollin. Daja doli në nxemje, kërkonte të luante ndeshjen, të gjithë do të bëjnë maksimumin që të luajmë edhe për Kupën”, tha Martini.