Kategoria Superiore ka mbyllur vitin 2024 me ndeshjen e fundit të javës së 19, atë mes Teutës dhe Bylisit, që ka përfunduar me një barazim pa gola. Trajneri i Teutës, Edi Martini, ka theksuar se barazimi ndaj Bylisit ishte rezultati i drejtë, pasi ekipi i tij kishte shfaqur shumë mangësi në lojën ofensive. “Barazimi ishte mëse i drejtë. Normalisht mendonim ta fitonim këtë ndeshje, se bëmë ndeshje të mirë me Egnatian, ishte një gjendje psikologjike e mirë, mendonim ta fitonim. Por ai nuk fitohet para se të fillojë, por kur fillon ndeshja. Nuk ishim aq agresiv, ata arritën të dilnin me topa të gjatë te Gjata, na vuri në vështirësi.
Në pjesën e dytë ndërrimet nuk na dhanë freskinë që duhet për të shkuar para portës, nuk ishim të qartë, ishim nervozë, deshëm të fitonim lojën në të gjitha mënyrat. Nuk kishim arsyetim të saktë në lojë, ndaj mendoj se barazimi ishte rezultati më i drejtë. Po ta shohësh formacionin, janë pothuajse të gjithë lojtarë që kanë bërë të gjithë sezonin ndaj edhe gjendja e tyre nuk është në 100% pasi kanë harxhuar shumë energji. Përqendrimi ishe në një kohë vonesë, na ka rënë agresiviteti që në linjën e parë ndonëse ta kërkonin t’i binin topit direkt. Por edhe më poshtë nuk kishim agresivitet për të marrë topin ndoshta, me Egnatian luajtëm të tërhequr e funksionoi, edhe pse nuk ishim aq këmbëngulës.
I lëshuam terren kundërshtarit në pjesën e dytë duke u tërhequr, edhe besimi e nervoziteti, bëhen të gjitha bashkë e nuk je ku duhet në ndeshje. Beqja ka dëshirën e egon të shënojë e nxjerrë ekipin nga situata. Normalisht rrezikuam, janë lojtarë që kanë karakterin të fitojnë ndeshje. Por në këto raste mund të ndëshkoheshim në fund. Rrezikuam të them të drejtën mbrapa, por në minutat e fundit nuk ishim të qartë, nuk kishim besim, nuk kontrolluam topin dhe ajo që është arma jonë kryesore, agresivitetin, nuk e kishim të saktë”, – tha Martini.