Teuta në kërkim të fitores, pas Vllaznisë dhe Partizanit bregdetarët përballen me Kukësin, që ka bërë mjaft mirë në këto ndeshjet e para, e megjithatë Edi Martini, përtej vlerësimit vë në dukje një detaj interesant: Kukësin s’e kemi parë kurrë në disavantazh, diçka që shpreson të ndodhë pikërisht përballë skuadrës së tij.

Sot, në këtë kampionat, çdo ndeshje është e vështirë. Kukësi ka zhvilluar lojëra të mira, ka shtatë pikë. E vlerësojmë maksimalisht, por nuk e kemi parë ende në disavantazh. Ta shoh sesi do të reagojë kur të pësojë i pari.

Pas dy barazimeve radhazi, trajneri refuzon të firmosë paraprakisht për një të tretë, Teuta e tij kërkon vetëm fitoren.
Në çdo ndeshje hyjmë për ta fituar. Por rezultat në një ndeshje futbolli nuk dihet. Duhet të luajmë që nga sekonda e parë deri në të fundit për ta fituar dhe besoj se do t’ia dalim.

Nga grupi i lojtarëve Emiljano Vila përcjell karikimin e skuadrës për tja dalë me një fitore, edhe pse Kukësi është natyrisht rival i vështirë.

Ndeshjen me Dinamon e kemi harruar, jemi përgatitur gjatë javës maksimalisht për Kukësin. Jemi gati, të luftojmë dhe të marrim tri pikët dhe të shikojmë përpara. Kukësi në javët e para ka bërë shumë mirë, ka treguar se luan një futboll të bukur, e vlerësojmë, por frikë nuk kemi aspak. Shoh ekipin tim, jemi ne gjendje optimale për të marrë tri pikët.

Një ndër futbollistët me eksperiencë në skuadër, Vila beson te shanset e Teutës së tij për të mbrojtur kurorën e kampiones, edhe pse kampionati sapo ka filluar.

Është java e tretë, shumë herët për të folur për këtë, por do të luftojmë deri në fund për të mbajtur fronin.