Në vigjilje të sfidës ndaj Partizanit, përpara gazetarëve në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Teutës Edi Martini, duke deklaruar se ka një bosht të mjaftueshëm lojtarësh por edhe nëse Teuta shfrytëzon rastet përpara portës tri pikëshi do të vijë:

Barazimi me Kastriotin – “Është një situatë që pati një lloj ngërçi, normalisht më vjen keq që kemi barazuar për mënyrën sesi kemi luajtur dhe lojën që kemi zhvilluar, kemi luajtur dukshëm më mirë se kundërshtari. Gjithsesi janë katër ndeshje që duhen lënë pas dhe të mendojmë për ndeshjen me Partizanin.”

Formacioni – “Kur vijnë lojtar të rinj në ekip gjithçka duhet të shihet me shumë kujdes, normalisht ne kemi disa lloje formacionesh, kjo është dhe lluks pasi kemi lojtar mjaftueshëm.”

Kthesa e madhe ndaj Partizanit – “Futemi në çdo ndeshje për të fituar. E dimë që Partizani ka një ekip të mirë, megjithatë ne jemi të qartë dhe e dimë mirë për çfarë hyjmë në fushë. Duam të fitojmë çdo ndeshje, e cimë që është një ndeshje e vështirë, kundër një kundërshtari të fortë. Gjithsesi fusha do ta tregojë. Ne na ka munguar rezultati, jo loja. E rëndësishme është të fitohen pikët. Do preferoja të mos luanim aq mirë, të jemi pragmatistë dhe të marrim tre pikët. Ato vlejnë për momentin. Normalisht jam i kënaqur për lojën që ka zhvilluar ekipi, por jo me pikët që kemi marrë. Nesër do të bëjmë gjithçka që të fitojmë”.

Presioni – “Presioni në futboll është në çdo moment, edhe kur luan për titull, edhe për Europë, edhe për mbijetesë. Ka tre lloje presionesh që ndikojnë në skuadër. Megjithatë ne kemi një skuadër mjaft të pjekur, me eksperiencë. Lojtarët dhe ne të gjithë jemi këtu për të treguar se e mundim presionin.”, përfundon fjalën e tij, tekniku i Teutës, Edi Martini.