Teuta ka bërë mrekullinë në “Air Albania” duke mundur Tiranën në sfidën e vlefshme për javën e 23-të të Superiores.

Pas ndeshjes foli trajneri Edi Martini:

“Ishte ndeshje e tensionuar, mendoja sikur isha dhe unë në fushë, emocionet pranohen. Nuk e prisja këtë ndeshje, kam punuar shumë me këta djem, nuk e prisja deri në këtë pikë, e dija që ata do reagonin. Edhe përpara ndeshjes ne folëm, kishim një moment së bashku, e dija që Vila do të kthehej me gol. S’ishim në pozita të barabarta, por i thashe djemve që ishim shumë mirë. Ata me zor prisnin të futeshin në fushë, Vila ka eksperiencë, edhe pse të gjithë lojtarët ishin fantastikë sot, i komplimentoj.

Më dhemb kartoni i kuq i Grudës, kam dyshimet e mia për kartonin e parë të verdhë. E kam marrë nga Shënkolli, më kishte pëlqyer, kisha shumë besim tek ai, ai është një ndër më të mirët që ka Superliga. Kërkojmë që të bëjmë më të mirën ndaj kundërshtarëve, prandaj bëj ndryshime edhe pse mund të gabohem. Por falë Zotit deri tani ka shkuar shumë mirë. Jam i sigurt që do ishim më lart, gjithmonë ka fazë kur ekipi është i dobët, por do ishim më mirë, jam i kënaqur deri tani, kampionati është shumë i gjatë dhe Zoti t’i ruaj djemtë. Ndeshja e radhës me Kukësin dhe do mundohemi të fitojmë. Do më interesojë barazimi në derbin mes Partizanit dhe Tiranës”, u shpreh ai.