Trajneri i Teutës Edi Martini ka komentuar lidhur me ndeshjen e së shtunës ku Teuta pret Luftëtarin në Niko Dovana, një ndeshje mjaft e rëndësishme për durrsakët që kërkojnë tre pikët. Martini është ndalur edhe tek situata e durrsakëve përpara kësaj ndeshjeje si dhe tek objektivat e Teutës. Fillimisht ai ka folur për ndeshjen e humbur me Tiranën.
“Në atë takim gjëja që nuk shkoi ishte rezultati. Zhvilluam një ndeshje të mirë dhe ishte gjynah që e humbëm. Sidoqoftë është ndeshje e mbyllur. Jam i bindur se nëse do të luajmë njëlloj, do të vijnë rezultatet pozitive”.
Durrsakët pas ndeshjes me Tiranën kanë reaguar për lojtarin e Tiranës Ngo që edhe pse kreu disa goditje të rrezikshme ndaj durrsakëve nuk u ndëshkua:
“Pasi dëmtohesh me një karton të paqenë të Çyrbjes, pavarësisht gjestit të tij, dhe nuk dënohet lojtari i Tiranës për ato ndërhyrje brutale, normalisht që mërzitesh. E thashë, i përket së shkuar dhe nuk dua ta diskutoj më”.
Në lidhje me Luftëtarin Martini shprehet:
“Me gjirokastritët synimi i vetëm janë tre pikët: Luftëtari është një ekip që ka bërë shumë surpriza. Mos të harrojmë para dy javësh ka ndaluar, ndoshta edhe të padrejtë, Kukësin. Kështu që nuk ka nevojë për neglizhim. Është një ndeshje radhë që vlen tre pikë. Si të fitosh me Tiranën, si me Luftëtarin, vlen tre pikë. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum, nga fillimi në fund. Të tregojmë grintë dhe çdo lojtar të japë maksimumin për të fituar. Është një ndeshje delikate. Dikur e kam drejtuar Luftëtarin. Është pjesë e zanatit tonë. Sot jemi përballë të shkuarës sonë, por nuk ka të bëjë fare. Jemi profesionistë dhe kërkojmë të japim maksimumin aty ku punojmë”.
Durrsakët kundër Luftëtarit do të kenë mungesa të rëndësishme:
“Gjendja është mjaft e mirë, pavarësisht humbjes me Tiranën. Skuadra ka punuar mirë gjatë gjithë javës. Kemi pak probleme me lojtarët. Kallakun e kemi të dëmtuar dhe nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për nesër. Kemi të konfirmuar edhe mungesën e Arapit dhe Çyrbjen e pezulluar me karton të kuq. Janë tre lojtarë që janë shumë të rëndësishëm për ekipin”.
Ndërsa në lidhje me vlerësimin e deritanishëm të skuadrës si deh objektivat Martini deklaron:
“Duhet të them që notat kanë qenë në rritje dhe zbritje. Nuk kemi pasur paraqitje stabël dhe kjo është ajo që më shqetëson dhe duam të gjejmë vazhdimësinë. Me Tiranën bëmë një lojë mjaft të mirë, gjithsesi nuk e arritëm rezultatin. Duam vazhdimësi në lojë dhe më pas do kemi vazhdimësi edhe rezultate. Sa për objektivat e kam thënë që në fillim që ne do të luftojmë dhe do të japim maksimumin për të shkuar në kupat e Europës. Ky është objektivi ynë. Gjithsesi ndeshje pas ndeshje do të shohim edhe ecurinë e ekipit. Kupa, rruga më e lehtë për Europën? E thashë që javë pas jave do bëjmë maksimumin të shkojmë në kupat e Europës. Nuk ka rëndësi nëse shkojmë nga kupa apo nga kampionati, por në fund të arrijmë atë që kërkojmë”, përfundoi Martini.





