Teuta barazoi në ndeshjen përballë Erzenit e cila ishte e vlefshme për javën e 17-të të Superiores. Sfida e zhilluar në stadiumin “Arena Egnatia” përfundoi me rezultatin 0-0. Pas kësaj sfide foli trajneri i Teutës, Edi Martini i cili deklaroi: “Unë mendoj se në këto barazimet e fundit është barazimi më i merituar pasi të tjerat duhet t’i kishim fituar. Ishte një ndeshje me dy tablo. Në disa raste dominuam ne, në disa raste Erzeni. Por ky është barazimi më i merituar dhe rezultati më i drejtë pavarësisht se humbëm penallti”, është shprehur Martini.

-Si do e intepretoje ndeshje nëse do shënonit me penallti?

“Isha i kushtëzuar. Ndoshta do të ndihmoja krahët dhe do të vazhdoja me të njëjtin ritëm. Por duhet të ruanim shumë energji pasi këta lojtarë kanë luajtur 4 ndeshje brenda 11 ditëve. Dukej qartë që lodhja e bëri punën e saj. Duhet të bënim më tepër, por përfundoi kështu.”

-Shpërdorimi i rasteve?

“Është e disata ndeshje që humbin raste të pastra. Por është barazimi që i vë më pak faji le të themi. Nuk kishim çfarë të bënim më tepër. Rastet e humbura ne i vuajmë dhe lojtarët i vuajnë vetë. Na duhet një sulmues tipik goli. Goli është ai që bën diferencën dhe nuk është një problem i vogël.”

-Çfarë ndodhi në fillimin e pjesës së dytë deri minutën e 70-të?

“Kundërshtari na mori mesin e fushës dhe u shty shumë përpara. Prandaj u detyrova që në fushë të fusja Iljazin që të ishim më agresivë në duelet një kundër një. Ekipi kundërshtar na vendosi goxha në presion. Gjithsesi kishim arsyet tona që ato 20 minuta ramë poshtë. Gjendja fizike, por edhe vendosja në fushë jo në rolet natyrale.”

-Ndeshja e radhës me Dinamon?

“Luajmë në shtëpinë tonë. Do bëjmë çmos për ta fituar atë ndeshje. Duhet të bëjmë maksimumin. Shpresoj dhe besoj, të kemi pak fat dhe ta fitojmë atë ndeshje.”