Teuta do të luajë ndeshjen e parë për vitin 2022 kundër skuadrës së Kastriotit, ditën e diel në orën 13:45, në stadiumin e Kamzës.
Në konferencën për shtyp, trajneri Edi Martini komentoi ndeshjen me krutanët, ku theksoi se pavarësisht pozitave që ka Kastritoti është një skuadër e vështirë që kërkon përqendrim maksimal.
Tekniku i durrsakëve foli edhe për merkaton, gjendjen e skuadrës, ndërsa theksoi se afrimet e reja do e ndihmojnë shumë skuadrën në pjesën e mbetur të sezonit.
Teuta do ta nisë vitin 2022 në transfertë kundër Kastriotit. Për të komentuar këtë ndeshje ka dalë në konferencë për shtyp trajneri Edi Martini. Këto janë fjalët e tij:
“Në përgjithësi jemi mirë, kemi bërë stërvitje intensive. Gjendja e ekipit është mjaftë e mirë. Kemi Jackson që është i dëmtuar, Aleksi do të luaj në vijën e mbrojtjes. Ne sapo kemi marrë një lojtar tjetër që besoj se ndeshjen tjetër do të jetë gati, por gjithsesi skuadra ka treguar grindë në stërvitje, entuziazëm dhe besoj se jemi në rrugën e duhur”.
STËRVITJA– “Ka qenë e gërshetuar, si nga ana fizike, teknike dhe ana taktike. Ka qenë një minifaz përgatitore kështu që jemi munduar të punojmë nga pak në të gjitha drejtimet. Në përgjithësi jam i kënaqur nga stërvitja që kemi bërë”.
NDESHJA- “Është ndeshje shumë e rëndësishme sepse kemi bërë shumë gabime gjatë pjesës së parë të sezonit. Nuk na falen gabimet, duhet të marrim maksimumin”.
AFRIMET E REJA- “Besoj që Hebaj do të jetë nga fillimi ndërsa Qaqi do të jetë javës tjetër, nuk është i disponueshëm këtë javë. Ne kemi brumin dhe lojtarët që gjithësecili që futet në fushë të japë maksimumin”.
PJESA E MBETUR E KAMPIONATIT- “Sigurisht që do të jetë e vështirë. Ndeshjet çdo ditë vijnë dhe bëhen më të vështira duke pasur parasysh edhe objektivat e skuadrave. Skuadrat në përgjithësi kanë marrë lojtarë, siç kemi bërë dhe ne dhe do të jetë shumë herë më e vështirë se fillimi i sezonit, por shpresoj të arrijmë formën e duhur dhe të jemi në maksimumin tonë”.
MERKATO E MBYLLUR? “Normalisht them se po, por nuk përjashtohet ndonjë mundësi deri në fundin e merkatos. Gjithsesi shumica e lojtarëve janë ata që kanë dalë kampion vjet dhe i kemi mundësitë që të ngrihemi në renditje. E rëndësishme është ana morale prandaj them se në ndeshjen me Krujën na duhet një fitore patjetër”.