Trajneri i Teutës, Edi Martini, mendon se skuadra e tij duhej ta kishte mbyllur ndeshjen ndaj Erzenit dhe i kishin ikur pikët nga duart në barazimin 1-1.
“Duhej të mbyllnim ndeshjen. Ishte ndeshje e vështirë, një derbi. Nervat ishin shumë të forta në të dy krahët. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, patëm mundësi të shënonim edhe golin e dytë. Në të dytën ishte edhe era që nuk na lejoi të qarkullonim topin, i lëshuam territor Erzenit. Me daljen e Karabecit na prishi goxha punë lidhja mes reparteve. Kishim mundësi të shënonim edhe golin e dytë, nuk arritëm, një pakujdesi solli barazimin.
Nesër do të bëjmë kontrollet e lojtarëve , Goxhajt dhe Karabecit. Janë dëmtime që shpresojmë të mos jenë të rënda. Kemi edhe lojtarë të tjerë, futëm Qaqin për Goxhajn ndërsa për Erandon futëm Vilën. Gjithsesi humbëm në cilësinë e luajtjes së topit, ishim më të fortë në vrapim. Por nuk mjaftoi. Në stol kemi 3-4 lojtarë që janë të mirë e mund të zëvendësojnë këdo”, tha Martini.