Teuta ka fituar në transfertën me Skënderbeun me rezultatin 1-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Superiore. Për këtë ndeshje ka folur edhe trajneri i durrsakëve, Edi Martini. “Normal më gëzon jashtë mase kjo fitore edhe për momentin në të cilin ndodhemi, kishim rastet tona dhe në pjesën e parë e të dytë por në përgjithësi mendoj që ishim më mirë dhe e merituam fitoren. Këto janë ndeshje ku presioni është i madh, vendosa ta kthej Krujën, por edhe ai gaboi tek penallti njësoj si Peposhi.

Ergysi dy tre ndeshjet e fundit nuk ka qenë aty ku duhet dhe Arifi ka qenë më mirë, e arritëm atë që donim dhe i përgëzoj çunat për fitoren. E kishim planifikuar ndryshe me thënë drejtën, por kur pamë këtë Skënderbe ndryshuam taktikë. Skënderbeu nuk është se pati ndonjë rast përveç një goditje standarte dhe një rasti të Liços. Pjesën tjetër them e administruam mirë, shyqyr zotit fituam sepse po ta humbnim ose barazonim këtë ndeshje, do të ishte një shok psikologjik për të gjithë ekipin”, deklaroi Martini.