Rikthimi i Superiores i jep mundësinë Teutës të mbyllë gabimet e fillimvitit, ku disa paraqitje të mira u ndërthurën dhe me disa rezultate zhgënjyese. Ende në garë për Europën, kampionati i durrsakëve rifillon nga Laçi, me Edi Martinin që problemin e parë ka zgjidhjen e ngërçit fizik dhe psikologjik me të cilin është përballur skuadra pas situatës sureale të pandemisë së COVID-19:”Ishte periudhë shumë e gjatë, e lodhshme nga ana mendore dhe dificite nga ana fizike. Ritmi i lojës do të jetë problem. Presim surpriza në lojë, sepse të mungosh dy muaj në mes të kampionatit është e vështirë, një enigmë që edhe ne presim të shohim se do të jetë e si do t’ia dalin çunat.” Martini sqaroi gjithashtu dhe problemet fizike që kanë hasur disa lojtarë të veçantë apo disa prej të cilëve u bashkuan me vonesë me skuadrën:”Gjendja është e mirë, me përjashtim të disa lojtarëve që kanë ardhur më vonë, si Abdyli dhe Herlic. Unë shpresoj shumë, sepse ata po punojnë dy herë në ditë që të kapin ritmin e skuadrës. Pjesa tjetër gëzon një formë të mirë.”

Sfida e rikthimit në Laç do të ketë vetëm një objektiv për Teutën, 3 pikë për të treguar fytyrën e vertetë: “Është një ndeshje që i ka të tri rezultatet. Jemi në një moment ku duhet të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë.” Europa për Teutën mund të vijë mes kampionatit ose mes Kupës, por Martini nuk kërkon të lerë vend për dyshim:”Dëshira ime është të fitojmë Kupën, por Europën nuk do të doja ta lija në dorë të fatit, dua ta sigurojmë nëpërmjet kampionatit.”