Trajneri i Teutës, Edi Martini u shfaq mjaft i qetë dhe i kënaqur me paraqitjen e durrsakëve, që fituan 0-2 ndaj Kukësit në “Elbasan Arena” dhe morën kryesimin e renditjes.

Sa e vështirë ishte të përgatisnit këtë ndeshje sot?

Ishte një javë mjaft e vështirë dhe na u desh të punojmë shumë, qoftë në aspektin e stërvitjes, qoftë në atë moral, megjithatë e rëndësishme ishte që në treguam se dimë të ringrihemi sa herë që rrëzohemi.

Krasniqi duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë…

Krasniqi është shumë i rëndësishëm për lojën e skuadrës tonë, pasi e kemi pikë referimi, futbollistin që udhëheq repartin dhe krijon hapësira. Sot bëri mjaft mirë edhe në rastin e golit, pasi kjo është shumë e rëndësishme për një sulmues. Shpresojmë që të vijojë kështu, pasi do të ishte një ndihmë mjaft e madhe në këtë moment të sezonit.

A besoni se do ta ruani këtë ecuri edhe javën e ardhshme në Shkodër?

Na pret nëj ndeshje mjaft e vështirë, ku do të shkojmë me synimin për të bërë më të mirën në fushë dhe më pas të shohim si do shkojë rezultati.

Sa besim keni te arritja e objektivit?

Jam besimplotë, pasi kam një ekip të plotësuar, me djem me mjaft eksperiencë, që kanë fituar në karrierë dhe dinë si shkohet te titulli. Skuadra ka karakter dhe di të menaxhojë lojën, ndaj jam besimplotë për objektivin.