Edi Martini rikthen edhe Teutën në “shinat e duhura” teksa durrsakët triumfuan në transfertën rrogozhinase ndaj Egnatias me shifrat 0-1. Heroi i sfidës për “Djemtë e Detit” ishte Realdo Fili që realizoi golin e vetëm të takimit në minutën e 61-të.
Sulmuesi i rrëmbeu topin Memollës dhe më pas nga një kënd i vështirë, goditi fort për të mposhtur portierin e Egnatias, Alen Sherri. Pas këtij episodi, vendasit u hodhën në kërkim të golit të barazimit, mirëpo Teuta rezistoi dhe ia doli të menaxhonte avantazhin duke marrë kështu tre pikë me shumë vlera për ecurinë e kampionatit.
Pas këtij suksesi, Teuta ngjitet në kuotën e tetë pikëve në vend të shtatë, ndërsa Egnatia mbetet e para me 13 pikë.