Teuta u mposht në miqësoren e djeshme ndaj Vllaznisë, megjithatë rezultati nuk kishte shumë rëndësi duke qenë se më shumë vlente gjendja e futbollistëve, kur i ndan një javë nga takimi me Granadën në Ligën e Europës. Trajneri i durrsakëve, Edi Martini për mediat u shpreh se kjo miqësore iu vlejti shumë, ndërsa sa i përket bojkotit të kampionatit, theksoi se kjo është në dëm të ekipeve dhe lojtarëve.

“Realisht na vlejti kjo miqësore, pasi jemi fiks një javë para ndeshjes së kupave të Europës. Normalisht kemi akoma disa gjëra për të rregulluar, pasi kemi edhe dëmtime.

Nuk kishim 4 lojtarë, Frashërin, Todorovksin, si dhe Grudën e Hebajn. Gjithsesi mendojmë t’i rikuperojmë deri të enjten. Sa i takon ndeshjes, e mbajtëm topin dhe e qarkulluam dhe kjo ishte ajo që donim të bënim. Patëm edhe ne rastet tona. Në njëfarë mënyre jam i kënaqur nga djemtë. Duhet kujdes tani në fill, që të mos pësojmë dëmtime”.

LARGIMI I KALLAKUT DHE VLLAZNIA- “Normalisht na ka prishur punë largimi i Kallakut, por kemi vetëm një lojtar të larguar. Do bëjmë çmos që ta zëvendësojmë. Presim deri më 2 tetor ta marrim një. Jemi në bisedime me disa lojtarë. Është një rol specifik dhe nuk është e lehtë të gjesh. Besoj se do ia dalim të gjejmë një. Si m’u duk Vllaznia? Mendoj se Vllaznia është më mirë se vitet e tjera. Nuk kam ndonjë gjë tjetër për Vllazninë. I uroj suksese”.

SHTYRJA E KAMPIONATIT- “Është problem shumë i madh. Pushuam për një kohë të gjatë në karantinë, më pas zhvilluam një numër të madh ndeshjesh, çdo tre ditë. Tani luajmë në Europë dhe një shtyrje e kampionatit është në dëm të ekipeve dhe lojtarëve”, u shpreh Martini.