Trajneri i Teutës Edi Martini theksoi se skuadra e tij po vuan prej stresit për shkak të kalendarit të ngjeshur dhe nevojës për të siguruar sa më shumë pikë, gjë që ka ndikuar te gjetja e golit dhe seria e 5 barazimeve.Trajneri Martini beson se durrsakët do të përmirësohen në ndeshjet e ardhshme dhe do të jetë sërish në zonën e kreut.

“Skuadra vuan për gola – Është e vërtetë. Ishte një ndeshje e rëndësishme që duhej ta fitonim, pjesën e parë ishte Partizani më mirë, të dytën luajtëm më mirë për ne. Partizani qarkulloi topin para portës sonë në pjesën e parë. Penalltia është çështje fati, por mendoj ka qenë dhe stresi i ndeshjeve të ngjeshura që bëri që Vila të gabonte. Është ngarkesë, i mundojmë t’i qetësojmë lojtarët. Po të shënonim sot, nuk do të diskutonim më se shënojmë. Nuk do ta kishim këtë stres.

Ndryshim taktike – Ne kemi lojën tonë, duhet të luajmë pak të zhbalancuar. Kemi luajtur me 7 sulmues, dhe prapë skemi shënuar. Nuk është çështje të zhbalancojmë, është një moment që duhet me qetësi ta zgjedhim.

Liderët e Teutës – Këtë punën e golit e diskutojmë me djemtë. Goli del nga shpirti, dhe të shënosh duhet të bëhet me sakrificë. Kemi lojtarë me eksperiencë, edhe Vila që humbi sot penalltinë ka përvojë, është një moment që fati s’ka qenë me ne. Kemi dhe dy ndeshje për të mbylluar fazën e parë.

Vllaznia – Kampionati është shumë i gjatë. Do jemi në ndjekje të vendit të parë, e dimë forcën e karakterit tonë. Kemi distancë me ta, por është e rikuperueshme, sepse ka shumë ndeshje”, u shpreh trajneri i Teutës Edi Martini.