ARGJENTINE– Një martesë e pazakontë ka tronditur Argjentinën. Një i dënuar me 13 vjet burg për vrasjen e modeles Johana Casas do të lidhë sot kurorë me binjaken e saj, Edith. Mamaja e 22 vjeçares ka bërë gjithçka ka pasur mundësi për t’i ndryshuar mendjen vajzës së saj, por nuk ia ka arritur.
Ceremonia martesore zhvillohet sot në burgun Santa Cruz, ku Viktor Cingolani vuan dënimin që nga viti 2010. Cingolani ishte fejuar me të dyja motrat binjake, por Johana nuk mund ta duronte më lidhjen treshe, prandaj dhe i dha fund marrëdhënies. Por kjo zgjedhje e saj i kushtoi jetën.
Ndërkohë motra tjetër binjake, Edith kërkon t’i shkojë deri në fund dëshirës së saj për t’u martuar me Victorin, pasi ai sipas saj është i pafajshëm.
“Është dënuar padrejtësisht, pasi ai nuk do t’i bënte keq as një mize”,- thotë Edith në mbrojtje të burrit që ka zgjedhur ta ketë përkrah.
Pavarësisht dënimit me 13 vite burg, Victor vazhdon të shfajësojë veten duke thënë: E kam dashur Johanën, por tani dashuroj Edith. Për këtë dua të martohem me të”.
Nëna e dy vajzave, Marcelina Orellana, i ka bërë të ditur mediave se do të përpiqet deri minutën e fundit për të ndaluar martesën e së bijës.