Tiranë, 26 korrik 2014  – Nuk më duket sikur po më ikën një vajzë, por sikur jam bërë me djalë!”. Kështu shprehet ish-presidenti i vendit, Bamir Topi teksa flet i emocionuar për suplementin “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” për martesën e Nadës, vajzës së tij të parë.

Gëzimi në shtëpinë e tyre ndihet prej së largu. Shumë njerëz janë mbledhur për të përgatitur ambientin ku do të mbahet dasma madhështore, të cilën kanë vendosur ta bëjnë në tarracën e shtëpisë. “Ashtu si në kohët e vjetra, që dasmat i bënim në oborr. E ku ka më mirë se në shtëpi”, thotë i buzëqeshur zoti Topi, i cili na priti me dashamirësi në vilën e tij për të na treguar se si do të bëhej dasma.

 “Ishte një vendim i të gjithëve bashkë që ta bënim në shtëpi. Besoj do të mbajë koha, por atë e ka në dorë tjetërkush”, vazhdon më tej ai. Për arredimin e ambientit dhe përgatitjen e tavolinave po kujdesej “Geraldina Sposa” dhe ne i gjetëm punonjësit në krye të detyrës.

“Unë u kam bërë gati gjithë gjelbërimin dhe pemët me mollë (qesh). Kam vite që kujdesem vetë për këtë”,thotë babai i nuses. Dasma ka plot 400 të ftuar, të cilët janë njerëz si të Nadës, ashtu edhe dhëndrit, Gurten Papuli. Do të bëhet një ceremoni e vetme, ndaj dy familjet i kanë bashkuar të dashurit e tyre.

“Kemi ftuar kryesisht njerëz të afërt dhe çifti gjithë shoqërinë e tyre. Unë kam ftuar vetëm rrethin e ngushtë familjar dhe shoqëror. Ka dhe të njerëz të politikës, por që i përkasin partisë sonë, FRD-së, që fillimisht i konsideroj miq, pastaj bashkëpunëtorë”, saktëson Topi.

Mbase në dasmë do të ketë edhe emra të rëndësishëm të politikës shqiptare të ftuar nga ana e babait të dhëndrit, biznesmenit Agron Papuli. Ndoshta këta politikanë mund të jenë edhe “kundërshtarë” politikë të Topit, por siç thotë populli ynë, në dasmë harrohen të gjitha.

Juliana Pasha e Sidrit Bejleri bashkë me bandën e tyre janë këngëtarët e zgjedhur për të ndezur atmosferën. Mësuam se çifti ende nuk ka vendosur se ku do ta kalojë muajin e mjaltit, pasi janë në dilemë për disa vende. U larguam nga vila luksoze ku sonte ka dasmë, me urimin që në të tilla gëzime të takohemi më shpesh. 

ALBANO

Një prej emrave më të njohur e të suksesshëm të muzikës italiane, është edhe një prej miqve të ngushtë të familjes Topi. Albano Carrisi është i ftuar sonte në dasmën e Nada Topit dhe Gurten Papulit, si mik i babait të nuses. Ai erdhi në Tiranë mbrëmjen e së premtes me një avion privat.

“Unë jam martuar në korrik para shumë vitesh. Ndjeva një lumturi të madhe kur mora ftesën për këtë dasmë”,shprehet Carrisi për “Bluetooth”. Ai tregon se nuk është hera e parë që është mik në familjen e Bamir Topit, të cilin ai vazhdon ta quajë president.

“Është president në shtëpinë e tij”,thotë Albano duke qeshur. Ylli i muzikës italiane shprehet se do të këndojë me dëshirë në dasmën e miqve, megjithëse nuk këndon shpesh në dasma.

Kur e pyetëm se si duket Shqipëria, Albano na u përgjigj: “Albano in Albania. Kjo i thotë të gjitha. Këtu jam në shtëpinë time”. 

/bluetooth/