Tiranë, 4 shtator 2014 – 12 shkolla të arsimit parauniversitar privat, me kohë të pjesshme, janë mbyllur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, pasi nuk plotësojnë standardet.
Nga këto 12 shkolla, 3 janë në Durrës dhe bëhet fjalë për institucionet arsimore “Talenti”, “Migjeni” dhe “3 Janari”.
Në një deklaratë për mediat zëvendës ministrja Nora Malaj shprehet se nxënësit e këtyre shkollave private për studime me kohë të pjesshme, të cilat u urdhëruan te mbyllen nga ministria, do të transferohen në shkolla të tjera publike. Malaj theksoi se shpenzimet për nxënësit do të mbulohen nga shkollat private.
Nëpërmjet një vendimi ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar mbylljen e shkollave me kohë të pjesshme: “Talenti”, “Migjeni” dhe “Tre janari” në Durrës; shkolla “Iliria 1” Elbasan, shkolla “Baka”, Lushnjë; shkolla “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Mat; shkollat “Vitrinat”, “Eurovizion” dhe “Inkus network” në Tiranë; shkolla “Vëllezërit Frashri”, Vlorë; shkolla “Sami Frashri” Kuçovë; dhe shkolla “Arianiti” Elbasan.
“Bëj me dije një urdhër që ka dalë nga MAS për mbylljen e veprimtarisë mësimore me kohë të pjesshme të arsimit para universitar privat. Institucionet e arsimit para universitar privat të përmendura nga ky urdhër do kryejnë këto detyrime. Të mbyllin detyrimet për veprimtarinë mësimore për vitin 2013- 2014. Të pajisin nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm shkollor gjë që do të shërbejë për transferimin nxënësve në shkollat publike. Të vënë në dispozicion çdo informacion të kërkuar. Të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e pa përfunduar të shkollimit dhe çdo detyrim tjetër ndaj nxënësit. Të dorëzojnë në Drejtorinë Arsimore përkatëse dokumentacionin. Të arkivojnë dokumentacionet e dorëzuara.”– u shpreh Malaj.
Ja shkollat e mesme që do të mbyllen:
1.Shkolla “Talent” i hapur në 2009 Durrës
2. Shkolla “Migjeni” e hapur në 2011 Durrës
3. Shkolla “3 Janari” e hapur në 2012 Durrës
4. Shkolla “Iliria 1” e hapur në 2013 Elbasan
5. Shkolla “ Daka” e hapur në 2011 Lushnjë
6. Shkolla “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” Mat
7. Shkolla “Vitrinat” i hapur në 2012 Tiranë
8. Shkolla “Eurovizion.is” i hapur 2012 në Tiranë
9. Shkolla “Inkus Network” i hapur në 2013 në Tiranë
10. Shkolla “ Vëllezërit Frashëri” Vlorë
11. Shkolla “ Sami Frashëri” Kuçovë
12. Shkolla “Arianiti” i hapur në 2012 Elbasan
Institucionet e arsimit parauniversitar privat do të kryejnë këto detyrime:
-Të mbyllen të gjitha detyrimet lidhur me veprimtarinë mësimore për vitin mësimor 2013-2014 brenda afateve të përcaktuara
– Të pajisin çdo nxënës me të gjithë dokumentacionin shkollor për transferimin e tyre në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar publik me kohë të pjesshme brenda datës 10.90.2014
– Të vërë në dispozicion të njësisë arsimore vendore përkatëse çdo informacion të kërkuar dhe të vazhdojnë të mbajnë kontakte me ta deri në plotësimin dhe mbylljen e të gjitha kërkesave të parashikuara nga ky urdhër
– Të kthejnë pagesat e kryera nga nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të kenë ndaj nxënësve
– Të dorëzojnë në njësinë arsimore vendore përkatëse të gjithë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë arsimore të tyre
-Të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve të përballohen nga ana e institucioneve të arsimit parauniversitar privat, personi juridik që e përfaqëson atë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





