23 tetor 2013- Ministria e Arsimit dhe e Sporteve shpall konkursin për 13 drejtorë të drejtorive arsimore rajonale në Tiranë e në rrethe. Pas shkarkimit dy ditë më parë nga ministrja e Arsimit dhe Sporteve Lindita Nikolla, në faqen zyrtare të MAS janë publikuar kushtet, dokumentet dhe procedurat si do të zhvillohet ky konkurs. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve për të garuar për pozicionin e drejtorit të DAR në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Vlorë, Korçë, Dibër, Elbasan, Lezhë, Kukës, Berat dhe Tiranë-Qark do të jetë data 28 tetor. Mosparaqitja e dokumenteve të kërkuara sjell skualifikim të kandidatit. 

“Pas verifikimit paraprak, më datë 5 nëntor 2013, në selinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të shpallet lista e konkurrentëve që kanë plotësuar kërkesat e paraqitura në rubrikën “Kërkesat e veçanta të kandidatit” dhe do të vazhdojnë më tej konkurrimin, si dhe data kur do zhvillohen finalet publike përballë një jurie prestigjioze”, thuhet në njoftimin e MAS. Konkurrimi do të bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar 2004- 2015, Kodin e Procedurave Civile, legjislacionin e shërbimit civil.
“Ky njoftim, rezultatet e verifikimit paraprak si dhe datat kur do të zhvillohen testimet, mund të gjenden në adresën e websiteit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit www.mash.gov.al”, bën me dije MAS. Kandidati duhet të këtë mbaruar arsimin e lartë në ciklin e dytë për “Master shkencor” në Mësuesi. Ai duhet të ketë së paku 5 vjet përvojë profesionale dhe menaxhuese, parapëlqehet përvoja në nivele të larta të administrimit arsimor dhe në fusha që ndërlidhen me punën e DAR.
“Kandidati duhet të ketë kompetenca në përcaktimin dhe arritjen e objektivave strategjikë dhe operacionalë të institucionit”, thuhet në njoftimin e MAS. Sipas tij, kandidati duhet të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe drejtuese dhe të ketë aftësi shumë të mira të komunikimit dhe të negocimit. Gjithashtu kandidati duhet të njohë mirë kompjuterin, ndërsa njohja e gjuhëve të huaja përbën avantazh.


DOKUMENTET DERI MË 28 TETOR

• Kërkesën për konkurrim

• CV-në

• Dy letra rekomandimi

• Fotokopje të diplomës universitare dhe asaj

“Master” dhe listës së notave

• Fotokopje të librezës së punës

• Fotokopje të certifikatave të kualifikimit

• Dëshmi të gjuhëve të huaja dhe të kompjuterit

(nëse ka)

• Vërtetimin e gjendjes gjyqësore

• Një numër telefoni

• Adresë elektronike për t’u kontaktuar si dhe

adresën e plotë të vendqëndrimit

KRITERET

• Të ketë mbaruar arsimin e lartë në ciklin e dytë për

“Master shkencor” në Mësuesi.

• Të ketë së paku 5 vjet përvojë profesionale dhe

menaxhuese, parapëlqehet përvoja në nivele të larta

të administrimit arsimor dhe në fusha që ndërlidhen

me punën e DAR-së.

• Të ketë kompetenca në përcaktimin dhe arritjen e

objektivave strategjikë dhe operacionalë të

institucionit.

• Të ketë aftësi shumë të mira organizative dhe

drejtuese.

• Të ketë aftësi shumë të mira të komunikimit dhe të

negocimit.

• Të ketë aftësi të mira të përdorimit të programeve

kompjuterike.

• Njohja e gjuhëve të huaja përbën avantazh për

kandidatin.

Paga e pozicionit është në kategorinë III/b.

/panorama/