Përfaqësuesja e Rusisë do të përjashtohet nga Euro 2016 nëse do të përsëriten incidentet që u shkaktuan nga tifozët rusë në përfundim të ndeshjes me Anglinë në “Velodrome” të Marseilles. Ky nuk është thjesht një kërcënim, për vendimi i Komisionit të Disiplinës në qeverinë e futbollit evropian, që mori në shqyrtim ngjarjet e shëmtuara që ndodhën në qytetin jugor të Francës.

Federata Ruse e Futbollit u gjobit me 150 mijë euro, por kjo masë nuk është asgjë para asaj që mund të ndodhë nëse ultrasit rusë shfaqen agresivë në stadiumet e Francës. Në vendimin e komisionit të Disiplinës, që u mblodh në Paris shkruhet: “ Skualifikimi i Rusisë është pezulluar deri në fund të turneut, por një masë e tillë do të hyjë menjëherë në fuqi nëse përsëriten episode të ngjashme brenda stadiumeve në ndeshjet e mbetura të Rusisë.”

Ndërkohë Federata Ruse e Futbollit nëpërmjet një qëndrimi zyrtar konfirmoi se nuk do ta apelojë vendimin, duke e pranuar si të drejtë këtë masë ndëshkimore nga UEFA.