Masakër në Dyseldorf, në stacionin kryesor hekurudhor në perëndim të Gjermanisë, ku një i sëmurë mendor ka plagosur në një sulm me sëpatë shtatë persona.
Sulmi ndodhi rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të enjtes ndërsa është arrestuar një person. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar nga vendet e ish-Jugosllavisë, i cili, sipas Policisë së Dyseldorfit, ka probleme mendore.
Policia tha se ai kishte sulmuar njerëzit pa dallim, por fatmirësisht askush nuk ka humbur jetën. Një person është plagosur rëndë dhe agresori po ashtu, pasi kërceu nga një urë tekda përpiqej t’i shpëtonte policisë. Ai po trajtohet tani në një spital.
Një numër i madh policësh janë dislokuar në zonë për të kërkuar për ndonjë të dyshuar tjetër të mundshëm. Trafiku hekurudhor u ndal fillimisht, por raportohet se tashmë ka rifilluar aktiviteti.
Motivi i sulmit është i paqartë dhe policia nuk po e përshkruan për momentin si një krim të lidhur me terrorizmin.