Të paktën 8 studentë janë vrarë mëngjesin e së premtes në një tjetër masakër me armë në një shkollë amerikane, atë “Santa Fe” në Teksas.
Sherifi i kontesë, Henry Trouchesset tha se autoritetet kanë arrestuar një person dhe janë ende në përpjekje për të kuptuar nëse ka pasur apo jo bashkëpunëtor.
Ndërkohë, sherifi i kantonit Harris, Ed Gonzales shkruan në rrjetin social “Twitter” se dy persona janë në paraburgim, ndërsa një oficer është mes të plagosurve të shumtë.
Shumë studentë, që mundën të largoheshin të sigurtë nga vendngjarja, janë bashkuar me prindërit apo familjarë të tjerë pas zhvendosjes.
“Numri i të plagosurve nuk mund të jepet me siguri në këto momente”, thanë mjekë të spitalit “UTMB” në Galveston, por shtoi se në këtë institucion kanë ardhur të paktën 3 pacientë.
Një student dëshmitar tha se kishte dëgjuar të paktën 8 të shtëna, ndërsa një tjetër konfirmoi të shtënat e papërcaktuara me armë dhe më pas kishte dëgjuar alarmin për evakuim.