Pak ditë pasi familjarët e viktimave të Masakrës së Çoles, që i shkruan Nishanit, ku akuzonin drejtësinë se po i vrisnin fëmijet e tyre për së dyti, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla pezullon dy prokurorët e çështjes, që ndryshe nga Apeli i Vlorës që dha dënime maksimale, kërkuan pushimin e akuzave.

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka pezulluar nga detyra drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore Alma Muçaj si dhe prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani.

Gjithashtu, Llalla urdhëroi nisjen e hetimit ndaj tyre, për shkak të qëndrimit të dyshimtë që është mbajtur në Gjykatën e Lartë, ku po shqyrtohet rekursi për autorët  e dyshuar të vrasjes së ndodhur në vitin 2015, kur mbetën të vdekur 3 persona.

Dyshohet se prokurori Selmani pasi e ka dikutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça ka kërkuar pishimin e e akuzave shumë të rënda

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më tej, Prokuroria e Apelit Vlorë, kanë gjetur mbështetjen e gjykatave respektive, të cilat kanë vendosur dënime maksimale për 3 personat e akuzuar. Një prej të pandehurve është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa dy prej të pandehurve janë dënuar me 35 vjet burg nga Gjykata e Apelit Vlorë.

Të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, në të cilën kishin paraqitur pretendimet e tyre lidhur me akuzat dhe dënimet.

Gjatë shqyrtimit të rekursit në Gjykatën e Lartë, prokurori i çështjes, Artur Selmani, jo vetëm që nuk ka mbështetur qëndrimet e mëparshme të Prokurorisë, por ai ka kërkuar pushimin e akuzave shumë të rënda, për të cilët të pandehurit ishin dënuar maksimalisht në dy shkallët e gjyqësorit në Vlorë.

Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me Drejtorin e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.

Prokurori i Përgjithshëm, i vënë në dijeni për situatën, pasi prokurori Selmani e kishte prezantuar qëndrim e tij në Gjykatën e Lartë, ka urdhëruar menjëherë pezullimin e tij dhe të drejtorit , Alma Muça, si edhe ka urdhëruar nisjen e hetimit për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” Dhe “Shpërdorim detyre”, me qëllim për të zbuluar shkaqet e këtij qëndrimi.

Gjithashtu, pjesë e penalizimit administrativ dhe hetimit penal janë edhe ndihmësit gjyqësorë, të cilët kanë përgatitur relacionin për prokurorin.

Tre të vdekur dhe 1 i plagosur është bilanci i përplasjejes me armë të ndodhur mes dy grupeve rreth orës 14:15 minuta, të 7 prillit 2015, në lagjen “24 Maji” e njohur ndryshe si lagjja “Çole” në Vlorë.

Viktimat janë Haki Rakipi 28 vjeç, Alfred Velaj 27 vjeç dhe Albi Limaj, ndërsa i plagosur ka mbetur Aleksandër Llanaj.