26 qershor 2015 – Autori i tretë i krimit të ndodhur më 2 shtator të 2014-s në Durrës, ku u vranë dy kunatat Vava, është ekstraduar nga Madridi i Spanjës në Shqipëri.

Policia e Durrësit njofton se shtetasi Indrit Shaqja, 42 vjeç, banues në Shijak, është ekstraduar nga zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana. Kjo u bë e mundur, pasi Shaqja është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen në bashkëpunim”, i dyshuar për vrasjen e dy kunatave Vava.

Shaqja në bashkëpunim me Velson Elmazin, 29 vjeç, banues në Elbasan, dhe Artur Kaçanollin, 29 vjeç, banues në Shijak, edhe këta të dy të arrestuar, kanë hyrë në banesën e të ndjerave Gjinovefa dhe Elsa Vava, për të vjedhur dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Për pasojë, kunatat 72 dhe 77 vjeçe, kanë mbetur të vdekura që të dyja.

Gjithashtu, ndaj Indrit Shaqjes rëndon dhe një tjetër akuzë, ajo e “Drejtimit të mjetit në mënyrë të parregulllt”, i dhënë më 14 nëntor 2014 nga Gjykata e Durrësit, i cili e dënon me 6 muaj burg.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/