Policia ka mundur të gjejë automjetin që është përdorur 1 muaj më parë në masakrën e Elbasanit, ku 3 persona mbetën të vrarë dhe 8 u plagosën. Pas disa versioneve të përfolura për modelin e makinës, automjeti është një ‘Benz C-Class’ me targa të huaja, shkruan gazeta ‘Mapo’.
Por, nuk ka asnjë të dhënë se në çfarë vendi është gjetur ky automjet. Deri tani nga hetimet nuk është zbuluar ndonjë detaj i rëndësishëm që t’u vijë në ndihmë hetuesve. Ende nuk është gjetur se kush është pronari i automjetit.
Gjithashtu, kamerat e jashtme nuk kanë kapur elemente identifikuese të qarta të autorëve të masakrës për shkak të errësirës, kurse pajisja që mban filmimet e kamerës së brendshme të lokalit u shkatërrua për shkak të breshërisë.
Personat e plagosur nuk kanë dhënë asnjë informacion për sa i përket identikitit të autorëve. Ata thonë se u shtrinë përtokë për të shpëtuar pasi u kapën në befasi. Po kështu, edhe armët e krimit që autorët kishin hedhur para lokalit ku bënë masakrën, nuk kanë shenja gishtash, pra ata duhet të kenë përdorur dorashka.