Avokatët e Laert Haxhisë kërkuan të pyeten si dëshmitarë të thirrur nga mbrojtja edhe Anterio Kaloshi dhe Orges Bilbili, të dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme për të njëjtat ngjarje për të cilat po gjykohet edhe Laert Haxhia.

Sipas “Top Channel”, gjykata e refuzoi këtë kërkesë dhe vendosi të ripërsërisë kërkesën për dëshmitarë të tjerë të kërkuar nga mbrojtja për të cilët duhen risaktësuar adresat.

Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë, u arrestua në Greqi në maj të vitit 2023.

Haxhiu qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit greke, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Pas ndalimit në Janinë, Interpol Athina i dërgoi të dhënat autoriteteve shqiptare, që bënë identifikimin e tij.

Bilbili dhe Kaloshi mbrëmjen e 11 tetorit të 2017 u nisën për të ekzekutuar Xhuljo Shkurtin, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës në një Lokal në Lushnjë. Plumbat e kallashnikovit qëlluan për vdekje Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën ndërsa shënjestra e atentatit Xhulio Shkurti, mundi të shpëtonte. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili dhe Kaloshi akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ si dhe ‘Prishja e qetësisë publike’.

Anterio Kaloshi u arrestua në 13 gusht 2020, pasi bashkë me disa persona të tjerë kishin qëlluar me armë zjarri në drejtim të hotel ‘Volorekës’ në Pogradec, ndërsa ishte shpallur në kërkim për masakrën e Lushnjës. Ndërkohë Orgest Bilbili u kap në 10 prill 2020 në zonën e Xhamllikut në Tiranë. Ai u plagos nga një punonjës policie pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.