TIRANE, 27 mars 2013 – Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata “Çamëria” dhe Klubi i Patriotëve të Rinj zhvilluan pasditen e sotme një aktivitet përkujtimor në kuadër të 100 vjetorit të “Masakrës së Selanit”. Pikërisht më 27 mars 1913, ushtarët grekë vranë 72 udhëheqës të krahinës së Çamërisë. 

Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ftoi të gjithë pjesmarrësit në këtë aktivitet përkujtimor, të mbajnë një minutë heshtje në nderim të 72 viktimave të kësaj masakre. 

Ndërkaq, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi edhe një herë i bëri thirrje të gjithë forcave politike që të votojnë Rezolutën për Çështjen Çame, si një padrejtësi që çohet në vend. “Edhe një herë ftoj Partinë Demokratike, Partinë Socialiste, Komisionin e Jashtëm që të votojnë Rezolutën dhe të mos bien pre e urdhrave të ardhur nga Athina me anë të Ambasadorit Grek në Tiranë.” – u shpreh Idrizi. 

Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Uniteti i bëri thirrje Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Panariti që të shpallë person non grata, deputetin e partisë “Demokracia e Re”, Kosta Julekas, i cili nga Derviçan bëri thirrej për Vorio Epirin.

“ I bëjë thirrje ministrit Panariti që të shpallë “non grata” deputetin e partisë “Demokracia e Re” Kosta Julekas, i cili deklaroi nga Derviçani se kjo është zemra e “Vorio Epirit”. Dua të theksoi se Epiri është një i vetëm dhe pavarësisht se në juridiksion të kujt është, Epiri ka qenë gjithnjë i banuar nga shqiptarët”,– tha Idrizi.