(Vëllezërit Kora)

Një vit nga masakra e trefishtë në Krujë, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krujës dhe ka dënuar me burgim të përjetshëm dy prej të pandehurve, si edhe ka dënuar me 56 vjet burg në total 6 të tjerë, të akuzuar për vrasjen e Franc Çekut, Arben Çekut, Eno Ramës, si edhe plagosjen e Luçie Çekut.

Për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, dy vëllezërit  Pëllumb Kora dhe Besnik Kora dënohen me burgim të përjetshëm. Vëllai tjetër i tyre Danjel Kora dënohet me 24 vjet burgim, ndërsa babai Gurali Kora dënohet me 21 vjet burgim.

Për veprën penale të “përkrahjes së autorit të krimit” në bashkëpunim, Ardjan Gjonaj dënohet me 3 vjet burgim, Paris Gjeta dënohet me 3 vjet e 6 muaj burgim, Preng Gjeta dënohet me 2 vjet e 6 muaj burgim dhe Shpëtim Nikolli dënohet me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Të gjithë këta persona janë hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” dhe procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 5 qershorit të vitit të shkuar.

(Në foto, viktimat)