30 maj 2015 – 35-vjeçari italian Salvadore Leticia, njëri ndër të arrestuarit për vrasjen e trefishtë në Tiranë, ndoshta rastësisht kishte zgjedhur të dilte para Gjykatës së Krimeve të Rënda me një bluzë të skuadrës së Napolit, që tregon pikërisht vendlindjen e tij, e ndoshta edhe lidhjet e tij kriminale atje.
I prangosur së bashku me dy vëllezërit, Klevis dhe Markelian Doçi, pasi gjatë shkëmbimit të zjarrit të dyja palët rivale lanë të vrarë tre persona, italiani Letizia u la së bashku me ta nën masën “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve.
Gjyqtari i Krimeve të Rënda e pyeti Salvadore Letician për të shkuarën e tij dhe ai pohoi se ka qenë i dënuar më herët për çështje droge e vjedhje. “Çfarë profesioni keni?”, – kërkoi të dijë gjyqtari. “Jam murator”, – u përgjigj Leticia.
Nga ana e tij, prokurori i dosjes deklaroi se vrasja e trefishtë e ndodhur në Bulevardin “Zogu i Parë” ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, e kjo është arsyeja që dy shqiptarë dhe një italian dyshohen për vrasje për shkak të gjakmarrjes, në bashkëpunim.
Prokurori pohoi se zanafilla e këtij krimi nis në dhjetor të 2014-s, kur është tentuar të vritet Mentor Lufi. Në prill, në Holandë, si kundërpërgjigje për atentatin e dështuar, dy nipërit e Lufit, Klevis dhe Markelian Doçi kanë marrë pjesë në vrasjen e Durim Sulkut. Pas kësaj vrasjeje, – shtoi prokurori, – vëllai i viktimës, Besnik Sulku, ka kontaktuar me Salvadore Letician për të vrarë Mentor Lufin, i cili ndërkohë ruhej nga dy nipërit e tij, Markeliani dhe Klevisi.
“Ditën e krimit-, tregoi më tej dinamikën e ngjarjes prokurori, – pasi ka pirë kafe me shtetasin Gerti Goxhaj, Mentor Lufit i është ndërprerë rruga nga dy persona të maskuar. Njëri prej tyre është Salvadore Leticia dhe tjetri Besnik Sulku, të cilët pasi kanë qëlluar në drejtim të tyre kanë lënë të vrarë Mentor Lufin dhe Gerti Goxhajn. Nipërit e Lufit kanë ndjekur gjatë shkëmbimit të zjarrit Besnik Sulkun, duke e vrarë pak metra larg skenës së krimit.
I maskuari tjetër, sipas Prokurorisë, e cila beson se kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë, Salvadore Leticia, u largua nga vendngjarja, por u kap në një hotel, i tradhtuar jo vetëm nga fotoja e viktimës që kishte me vete, por edhe një xhup që e mbante veshur dhe që ishte përshkruar nga dëshmitarët okularë. (TopChannel)