Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se askush nuk duhet të harrojë apo mohojë se çfarë ka ndodhur në Reçak.
Me anë të një postimi në Twitter diplomati amerikan ka shkruar se gjithashtu askush nuk duhet të mohojë e as të harrojë pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët dolën në mbrojtje të Kosovës.
Hovenier ka thënë se e mban mend mirë ditën kur ka ndodhur Masakra e Reçakut.
“Sipas fjalëve të Dr. Martin Luther King: ‘Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo’. Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi në Reçak, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë”, ka shkruar ai.
Masakra e Reçakut ishte masakrimi i 45 shqiptarëve nga Kosova në fshatin Reçak, me 15 janar 1999. Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.