Dy ditë pas masakrës së ndodhur në Elbasan, nuk ka ende asnjë autor të dyshuar për ngjarjen e rëndë me 3 të vdekur dhe 8 të plagosur.
Policia e Elbasanit, forcat RENEA dhe FNSH-ja kanë vijuar edhe gjatë ditës së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm kontrollet për gjetjen dhe kapjen e autorëve.
Një grup ekspertësh po vijojnë këqyrjen e kamerave të sigurisë, të sekuestruara në një sërë lokalesh e biznesesh që mund të ndihmojnë në identifikimin e automjetit që kanë lëvizur autorët.
Njëkohësisht forcat speciale RENEA e FNSH-ja kanë kontrolluar 16 banesa në gjithë qarkun e Elbasanit. Janë shoqëruar për verifikim 19 persona dhe janë kontrolluar 13 automjete të dyshuara si makina që mund të kenë përdorur autorët e krimit.
Vijon puna me intensitet të lartë për zbardhjen e ngjarjes.