Kreu i PD-së, Sali Berisha ka reaguar për masakrën me 4 viktima në Shkodër, ku humbën jetën dy qytetarë të pafajshëm, duke u shprehur se Shkodra e di shumë mirë ekzekutorin dhe porositësin.
“Gjer sot nuk ekziston asnjë pistë në hetimin e kësaj ngjarje, për shkakun e vetëm sepse pista e vetme është shtetërore”, u shpreh Berisha, për krimin makabër ku u ekzekutuan me breshëri plumbash 23-vjeçari Hamza Lici, 32-vjeçari Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Flutura e Bashkim Basha, kalimtarë të rastit.
Sali Berisha: Kaluan 10 ditë nga masakra e Shkodrës, ku 4 qytetarë të pafajshëm u ekzekutuan në rrugën kryesore të qytetit në mes të ditës dhe gjer sot nuk ekziston asnjë pistë në hetimin e kësaj ngjarje, për shkakun e vetëm sepse pista e vetme është shtetërore. Që ditën e parë informova shqiptarët se ishte masakër me licencë qeveritare të Ramës, sepse banda Bajri është banda e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të Bashkisë dhe iu është betuar Ramës se do t’i sigurojë mandatin me dhunë e terror. Banda Bajri në shpërblim për shërbimet kriminale që i bën Ramës dhe qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin.
Pjesëmarrëse në këtë masakër është policia e shtetit, Mondi, që u duhej atyre për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye, të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës.
Kurrë ndonjëherë krimi nuk ka patur përfaqësues më të fuqishëm dhe më të shumtë se në qeverinë aktuale të Ramës. Vetë Rama pohoi se ka qenë përdorues i Enchro Chat dhe se mund t’i dalë emri.
Është denoncuar në media të botës si përdorues i SkyEcc nga gruaja e McGonigal. Përfaqësues tjetër i krimit, është Taulant Balla, një kriminel me dokumente i vërtetuar, se është akuzuar për vrasje nga dëshmitarë në sallën e gjyqit, ka ndërhyrë për t’u dhënë tendera bandave, se ka urdhëruar të lirojë vrasësit e Lulzim Kullës. Shkodra e di shumë mirë edhe dorasin edhe porositësin.