Për një pjesë betoni jo më të madhe se 1 metër katrorë, dyshohet se nisi i gjithë konflikti dje në Prishtinë në mes të familjes Mehmeti dhe Rafuna, ku mbetën të vdekur dy persona e u plagosën tre të tjerë, dy nga ta në gjendje të rëndë. Këto dy familje për vite me radhë kishin qenë fqinj të mirë me njëra-tjetrën.

Por, para disa muajve familjet ia dhanë pronën në këmbim të disa banesave e lokaleve një kompanie private. Mosmarrëveshjet nisën ditëve të fundit e përfunduan dje, me një ngjarje e cila ka tmerruar gjithë Kosovën. 

Me armë në duar përfshirë edhe një “Kallash” ose  AK- 47 tre persona nisën përleshjen me njëri-tjetrin të Familjes Rafuna e  Mehmeti, nga e cila dy persona mbetën të vrarë, Bashkim Mehmeti e Mefail Rafuna.

Ndërkohë në rrezik për jetë vazhdojnë të jenë edhe dy persona të tjerë që mbetën të plagosur të enjten gjatë përleshjes me armë zjarri në rrugën “Muharrem Fejza” të Prishtinës. Pacientët që po qëndrojnë në spital, axhë e nip, janë të familjes Rafuna.