Fier, 23 korrik 2014  – Viktor Muhametaj po vishej për të shkuar për herë të parë në shtëpinë e Merushes kur një telefonatë preu çdo gjë në mes. Një shok i 24-vjeçarit i ka treguar se vajza me të cilën do të lidhte jetën ishte vrarë. Për disa orë i riu është larguar nga shtëpia e tij, në fshatin Drizë të Fierit, pa e besuar se ç’po ndodhte. Ai i ka telefonuar disa herë 17-vjeçares, por ziles nuk i përgjigjej askush. Viktori tregon se kishin vetëm dy ditë që ishin parë, por menjëherë ishin pëlqyer mes tyre dhe dita e djeshme do finalizonte lidhjen e tyre në fejesë. Nuk di t’i japë shpjegim se çfarë ngjau në familjen e Merushes. Ama thotë se që në takimin e parë i kishin bërë përshtypje duart me kallo të 17-vjeçares. I kishte premtuar që do ta shëtiste me makinë, pasi ajo kurrë nuk kishte dalë nga fshati i saj. Por kjo ëndërr nuk iu bë kurrë realitet. 

Kur u takove për herë të parë me Merushen? Arritët që të miqësoheshit me njëri-tjetrin? 
Ne u takuam për herë të parë pasditen e së dielës në banesën e fqinjit tonë, Kadriut, që në fakt ishte ai që kishte menduar se ne mund të lidhnim jetën me njëri-tjetrin. Kadriu është dhe burri i hallës së Merushes. Pasi qëndruam për pak kohë së bashku me nënën time dhe prindërit e Merushes, na lanë që të bisedonim vetëm. Kemi qëndruar për rreth dy orë me njëri-tjetrin në privatësi dhe aty kemi biseduar për shumë gjëra. Kuptova se ashtu si unë, edhe Merushja ishte e kënaqur për atë që po ndodhte, dukej vërtet e gëzuar. 

A mjaftuan dy orë për t’u afruar dhe për të vendosur për fejesë? 
Unë u ndjeva mirë. Isha i kënaqur dhe besoj se Merushja ishte më e gëzuar se unë. Biseduam për të kaluarat tona, se si kishte qenë jeta jonë dhe se si donim që të ishte në të ardhmen. I thashë se pasi të bëhej fejesa mund të vinte edhe ajo te shtëpia jonë e ta shëtisja në vende të bukura. Me sa më tha ajo nuk kishte lëvizur. Kishte qëndruar gjithmonë në shtëpi e kishte punuar. Kur i thashë se do të shkonim së bashku me makinë në disa pika turistike, u kënaq shumë. Kemi folur shpeshherë në telefon gjatë këtyre dy ditëve. Mendoj se edhe pse koha ishte shumë e shkurtër, krijuam një ndjenjë të fortë për njëri-tjetrin. Dukej që ishte një vajzë e mirë dhe ishte mjaft e sinqertë e punëtore. Por më erdhi keq për jetën e mundimshme që kishte bërë, dukej se kishte punuar shumë. 

Pse mendoni kështu? 
Kur po bisedonim i pashë duart që i kishte me kallo. Dukej se bënte mjaft punë të rënda. I thashë se që këtej e tutje nuk duhej më të punonte kështu. Madje edhe kur kemi folur në telefon i thosha që të kujdesej më shumë për veten e të mos bënte më punë të rënda. 

Si e mësuat lajmin tragjik? 
Unë kam qenë duke u përgatitur për të shkuar në drekën që do të bëhej te shtëpia e Merushes. Nuk jam i sigurt, por duhet të ketë qenë ora nëntë në mëngjes. E kishim lënë që në orën dhjetë do të ishim te shtëpia e Merushes. Isha duke veshur këmishën kur një shok më mori në telefon e më thotë për atë që kishte ndodhur. Nuk e besova. I thashë se nuk mund të ishte e vërtetë. Por pas pak ai më tha që të shikoja në televizor atë që kishte ndodhur. E vendosëm në një stacion lajmesh dhe atëherë pamë atë që kishte ndodhur. Mbetëm pa fjalë edhe unë, edhe nëna. Menjëherë telefonova Merushen. Zilja binte, por askush nuk e ngrinte telefonin. Nuk doja të besoja asgjë. 

Pse mendoni se ndodhi masakra? 
Nuk di çfarë të them. Gjatë gjithë kohës kam folur me Merushen dhe nuk e kam kuptuar që të kishte ndonjë shqetësim. 

A keni qenë në fshatin e Merushes? 
Jo, nuk kam qenë. Nuk kam çfarë bëj aty më. Mendoj se nuk do të ketë më një fejesë të dytë për mua. Kam kaluar mjaft gjëra të rënda në jetë, por kjo ishte më e rënda. Edhe pse kishim vetëm dy ditë që ishim njohur nga afër, mendoj se të dy ishim të gëzuar për këtë që kishte ndodhur, por që nuk u bë dot realitet fatkeqësisht. 

/gazeta "Panorama"/