KENIA, 23 shtator 2013 – Terroristët somalezë në Nairobi i kanë bërë një koment “live” në Twitter masakrës që shkaktuan dhe që po vazhdon në një qendër tregtare të Nairobit, në Kenia. Pjesëtarët e al-Shababit u tallën me viktimat dhe forcat e rendit që ende po përpiqen të shpëtojnë pengjet. 

Edhe pse Twitter-i fshiu llogarinë e tyre, shumë profile të tjera “lulëzuan” duke treguar makabritetet në kohën që po ndodhnin.

Ekspertët e internetit theksojnë se kjo gjë tregon se terroristët po përshtaten me teknologjitë moderne duke i shfrytëzuar për të përhapur frikën sa më shumë të jetë e mundur.

Militantët e al-Shababit përdorën “hashtag”-un Westgate (emri i qendrës tregtare) për të tërhequr sa më shumë lexues të jetë e mundur.

“Hakmarrja vazhdon ende. Mirëmëngjes Kenia” ose “Qeveria e Kenias kërkon negociata me muxhahedinët tanë, por negociata nuk do të ketë kurrë” ishin disa nga frazat e shkruara në rrjetin social.

Frazat në Twitter që nga hyrja e militantëve somalezë në qendrën tregtare:

Sulmi në Westgate është vetëm një pjesë e vogël e asaj që vuajnë muslimanët në Somali nga pushtuesit kenianë

Kur kenianët vrasin muslimanë të pafajshëm në Somali është e tolerueshme, madje kjo gjë lavdërohet; por kur disa nga njerëzit e tyre plagosen, fillojnë e qajnë

Nuk negociojmë me qeverinë keniane sepse ata kanë pushtuar vendin tonë

Kanë kaluar më shumë se 30 orë dhe kenianët janë të trembur si lepujt

Një femër britanike e konvertuar në myslimane po udhëheq terrorin në Kenia

Pengmarrja në Kenya që ka trondit gjithë botën vazhdon ndërsa pas saj duket se fshihet një femër. Mendohet se është organizuar nga një shtetase britanike, e cila është konvertuar në myslimane disa vite më parë. Ajo është bashkëshortja e një militanti islamik, i cili ishte një ndër kamikazët e sulmit të korrikut 2005 në Londër, ku u vranë 52 persona. Mediat botërore e cilësojnë atë si Vejusha e Bardhë dhe mendohet se është truri pas këtij operacioni terrorist. Samantha Leetheaite, vajza e një ish- ushtari britanik, u rrit duke shkuar në disko kur ishte adoleshente. Por ajo u konvertua në myslimane dhe u martua me një burrë që kreu aktet terroriste të Londrës, të njohura edhe si 7/7. Pas vdekjes së të shoqit, ajo u angazhua me një grup kamikazësh femra në Somali.

Ajo u rrit si një adoleshente normale, por kur ishte 17 vjeçe njohu online britanikun Jermaine Lindsay, i konvertuar edhe ai në mysliman.Tre vite më vonë ata u martuan. Kur i shoqi u identifikua si një nga katër kamikazët e 7 korrikut në Londër, ngjarje në të cilën u vranë 52 persona, ajo fillimisht dënoi sulmet e të shoqit dhe tha se nuk dinte asgjë për planet e tij. Por ishte një gënjeshtër.

Tetë vite më vonë ajo është një nga emrat e njohur të Al Kaedës dhe zëdhënëse e grupit Al Shabaab (Njerëzit), që qëndron pa tmerrit në Nairobi.

Pengmarrja vazhdon që prej së shtunës dhe janë vrarë 69 persona dhe 170 të tjerë janë plagosur.