Sulmuesi që vrau 14 persona në një universitet në Pragë, ditë më parë, ka rrëfyer edhe për një vrasje tjetër të dyfishtë përmes një letre, para se të kryente vetëvrasje, ka thënë policia në Çeki.
Letra është gjetur në shtëpinë e David Kozakut dhe përmes saj, ai ka treguar se e ka vrarë një burrë dhe vajzën e tij të vogël në një pyll afër Pragës, më 15 dhjetor, gjashtë ditë para sulmit në Universitetin e Karlit.
Policia ka thënë se ai ka qenë në listën e 4.000 të dyshuarve për vrasjen e dy viktimave.
Kozak, më pas, e ka vrarë babain e tij, duke e çuar numrin e të vrarëve prej dorës së tij në 17.
Sulmi në universitet, më 21 dhjetor, ka qenë sulmi më i rëndë me të shtëna me armë zjarri në historinë e Çekisë.
Kozak, 24-vjeçar, student i historisë në universitet, e ka vrarë veten, pasi është rrethuar nga policia e armatosur, pas kryerjes së sulmit.
Gazeta lokale çeke, Denik N, ka raportuar se letra është gjetur në shtëpinë e Kozakut më 21 dhjetor – në ditën e njëjtë që ka ndodhur sulmi.
Policia ende nuk ka dhënë informacione për motivin e sulmeve, duke thënë se hetimet janë duke vazhduar.
Ministri i Brendshëm çek, Vit Rakushan, u ka kërkuar kryetarëve të të gjitha qytetet dhe fshatrave që t’i anulojnë fishekzjarrët për natën e Vitit të Ri, pas masakrës që ka ndodhur.
Përmes rrjeteve sociale, ai u ka bërë thirrje çekëve që ta shënojnë natën në qetësi, duke thënë se kjo është më e pakta që mund të bëjë kombi për personat e traumatizuar prej vrasjeve.
I themeluar më 1347-n, Universiteti i Karlit është më i vjetri dhe më i madhi në Republikën Çeke, dhe një prej institucioneve edukative më të vjetra në Evropë.