Republika Çeke ka shpallur një ditë zie kombëtare të shtunën, më 23 dhjetor, për të nderuar kujtimin e viktimave të të shtënave me armë në Fakultetin e Arteve të Universitetit Charles.
Flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmështizë. Qeveria mori vendimin gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë Presidenti Petr Pavel dhe Kryetarja e Dhomës së Deputetëve Marketa Pekarova Adamova.
Shpalljen e zisë shtetërore e deklaroi Petr Fiala (ODS) pas mbledhjes së qeverisë.
Njëkohësisht ai u bëri thirrje qytetarëve që në ditën e zisë kombëtare të nderojnë kujtimin e viktimave të tragjedisë së pasdites me një minutë heshtje.
Të shtënat në qendër të Pragës janë rasti më tragjik i tillë në historinë e Republikës Çeke.
Sipas policisë, studenti 24-vjeçar ka vrarë 14 persona në fakultet dhe ka plagosur 25 të tjerë, dhjetë prej tyre në gjendje të rëndë.
I vdekur ka mbetur edhe personi i armatosur, i cili dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndërsa mbi të kanë qëlluar edhe policët që kanë ndërhyrë.