Autoritetet meksikane njoftuan të mërkurën arrestimin e tre personave të dyshuar për përfshirje në sulmin me armë zjarri që la 11 persona të vdekur dhe rreth dhjetë të plagosur në një stadium futbolli në qytetin Salamanca, në shtetin qendror të Guanajuatos. Sulmi ndodhi të dielën, kur persona të armatosur hynë në një stadium lagjeje dhe hapën zjarr ndaj spektatorëve. Salamanca ka rreth 160 mijë banorë dhe ndodhet në një nga shtetet më të goditura nga dhuna e lidhur me krimin e organizuar në Meksikë.
Sekretariati Shtetëror i Sigurisë bëri të ditur se arrestimet u kryen pas një sërë “operacionesh të koordinuara dhe të synuara”. Autoritetet nuk publikuan identitetin e të arrestuarve dhe as akuzat konkrete, duke përmendur nevojën për ruajtjen e konfidencialitetit të hetimeve.
Sipas autoriteteve, sulmi dyshohet të ketë qenë një larje hesapesh mes grupeve kriminale. Midis viktimave ishin të paktën pesë punonjës të një kompanie private sigurie, të cilët, sipas informacionit paraprak, u vunë në shënjestër për shkak të lidhjeve të supozuara të kompanisë së tyre me Kartelin e Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG). Hetuesit dyshojnë se autorët e sulmit janë anëtarë të Kartelit Santa Rosa de Lima (SRL), një grup rival i CJNG-së. Dy kartelet janë të përfshira në përplasje të përgjakshme për kontrollin e trafikimit të karburantit të vjedhur, drogës dhe aktiviteteve të zhvatjes në rajon.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi javën e kaluar se shkalla e vrasjeve në nivel kombëtar ka rënë në nivelin më të ulët të një dekade, me 17.5 vrasje për 100,000 banorë në vitin 2025. Megjithatë, Guanajuato mbetet një nga shtetet më të dhunshme, me një normë prej 38.8 vrasjesh për 100,000 banorë. Sipas të dhënave zyrtare, dhuna e lidhur me kartelet e drogës në Meksikë ka shkaktuar mbi 450,000 viktima që nga viti 2006, ndërsa më shumë se 100,000 persona rezultojnë të zhdukur.





