VLORE,29 korrik 2013  – Policia ka identifikuar autorët e dyshuar të masakrës së një dite më parë, në një resort turistik në Vlorë. Mësohet se njëri prej të dyshuarve quhet Leo Osmani, 19-vjeç, i cili mendohet se ka patur një konflikt me 34-vjeçarin Sokol Isufaj në plazh. 



Policia dyshon se vrasjet në resortin turistik janë kryer nga shoku i Osmanit, emri i të cilit nuk bëhet ende i ditur. Objektivi i sulmit ka qenë pikërisht 34-vjeçari nga Fieri, Sokol Isufaj. Policia duket se ka eliminuar pistën e hakmarrjes, dhe tashmë po përqëndron punën në drejtim të pistës tjetër, asaj të një grindjeje për motive të dobëta. 



Policia ka gjetur rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes dhe armën e krimit, tip kallashnikov. Ka shumë pak të dhëna rreth zbulimit të kësaj ngjarje, ndërsa pritet nga momenti në moment një konferencë shtypi e Policisë së Vlorës. 

Familjarë të 34-vjeçarit: Nuk ka lidhje me asnjë krim të mëparshëm 

Familjarë dhe të afërm të Sokol Isufaj shprehen për “News24” se 34-vjeçari nuk ka lidhje me ndonjë krim të mëparshëm, aq më tepër me vrasjen vite më parë të deputetit Fatmir Xhindi. Sipas të afërmve, Sokoli ishte baba i dy vajzave 4 dhe 6 vjeç, punonte si elekriçist, ishte fjalë pak dhe gëzonte respekt te banorët e zonës ku jetonte. Trupi i viktimës do të përcillet në banesën e fundit, në orën 15:00 të ditës së sotme. 

Babai i 17-vjeçarit: S’ngatërrohej me askënd 

Agron Bajlozit, babait të 17-vjeçarit Serdi Bajlozi nuk i treguan se djali i kishte vdekur, por se ishte në gjendje të rëndë. Ka udhëtuar nga Prrenjasi me urgjencë, por kur mbërriti në spitalin e Vlorës, mjekët i dhanë lajmin e rëndë: djali i tij i vetëm kishte vdekur. Kishte mbetur i vrarë aksidentalisht nga një dorë makabre, ndërsa ishte me pushimet verore. Kuja e nënës dhe lotët e babait të Serdit 17-vjeçar drodhën muret e vjetra të spitalit, ndërsa kërkonin me ngulm të shihnin trupin e fëmijës së tyre. Minoreni ishte një prej 3 personave që mbetën të vrarë gjatë sulmit me kallash, në bregdetin e Vlorës.

(balkanweb)