FIER – Prokuroria e Fierit e ka ngushtuar rrethin e të dyshuarve për autorësinë e masakrimit të 49-vjeçares Ahsinja Krytha. Burime nga organi i akuzës bënë të ditur se hetimi është përqendruar në dy persona konkretë, duke mos përjashtuar as mundësinë e arrestimit të tyre në ditët në vijim. Të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, mësohet se janë marrë në pyetje pak ditë më parë. 

Djemtë, të afërm dhe miq me njëri-tjetrin, janë marrë në pyetje për disa orë në Prokurorinë e Fierit, nga ku iu është kërkuar të faktojnë vendndodhjen e tyre në ditën kur ndodhi ngjarja që tronditi të gjithë qytetin. Pasi janë marrë deklarimet përkatëse, ata janë lënë të lirë, ndërsa prokuroria është duke verifikuar alibinë e tyre dhe duke mbledhur prova të mjaftueshme për të firmosur arrestimin.

Sipas burimeve, dy djemtë janë të dyshuarit kryesorë për krimin e rëndë, por nuk bëhen të ditura detaje të tjera se pse hetimi është orientuar pikërisht tek ata, dhe se cila ishte lidhja e tyre me viktimën. Gjatë marrjes në pyetje, të dyshuarit kanë përjashtuar mundësinë që të jenë ndodhur atë pasdite në zonën ku ndodhi vrasja. Ekspertët e Kriminalistikës kanë rindërtuar dinamikën e ngjarjes, ku mbeti e vrarë 49-vjeçarja Ahsinja Krytha.

Dyshohet që të kenë qenë dy autorë në këtë krim dhe se vrasja ka qenë e paramenduar. Ky fakt ka ngritur dyshime se autorët e kanë njohur dhe e kanë survejuar viktimën. Ahsinja Krytha u vra në mbrëmjen e 12 dhjetorit të vitit të kaluar, para portës së një vile trekatëshe në lagjen e saj. Ajo u gjet e përgjakur nga dy banore të zonës dhe, pasi në vend mbërriti edhe djali i të ndjerës, e transportuan atë në spital. Por plagët e shkaktuara nga goditja 14 herë me thikë i morën jetën gruas.