Dhërmi, 16 gusht 2014 – Kamarieri Denis Vyshka është torturuar deri në vdekje, duke u qëlluar me sende të forta si shufra hekuri dhe është shpuar me thika në vende të ndryshme të trupit.

Mes torturave të pronarëve të lokalit Altin Imeraj, Erviz Zylfaj, dhe kuzhinierit Miklon Zymeraj, 28-vjeçari ka mundur të rezistojë për gati 8 orë, ndërkohë gjatë këqyrjes së trupit të të riut sipas burimeve të prokurorisë ai ishte djegur dhe me cigare në vende të ndryshme të trupit.

Sipas burimeve të prokurorisë së Vlorës, tre personat e kanë torturuar kamarierin nën efektin e drogës.

Të arrestuarit Altin Imeraj, Erviz Zylfaj dhe Miklon Zymeraj kanë pirë drogë edhe gjatë kohës kur kanë torturuar brenda ambienteve të hotelit 28-vjeçarin Vyshka, të cilin më pas e kanë transportuar me makinë buzë detit, në Drimadhë, ku dhe ka gjetur vdekjen.

Ndërkohë denoncimi për humbjen e 500 mijë lekëve të reja duket se ka qenë një alibi e tre torturuesve për të justifikuar masakrimin e 28 vjeçari Vyshka.

Personi që ka telefonuar sipas policisë është pikërisht i arrestuari Altin Imeraj. Ky i fundit ka telefonuar në Sallën Operative të drejtorisë së Vlorës, në numrin 129, më datë 14 prill 2014 në orën 05:09 të mëngjesit.

Ndërkohë që 6 orë pas denoncimit të vjedhjes trupi i Denis Vyshkës është gjetur rreth orës 10:50. Nga hetimet paraprake dyshohet se 28-vjeçari është vrarë përpara se në sallën operative të denoncohej humbja e shumës prej 500 mijë lekë.

Tre personat e arrestuar për ngjarjen e vrasjes së kamarierit Denis Vyshka, gjatë seancës së parë të marrjes në pyetje kanë pranuar autorësinë e krimit.

Në dëshmi, autorët kanë pohuar se s’kanë pasur qëllim të vrisnin, por për shkak të rrahjes për disa orë me rradhë ai u kishte mbetur në dorë.

Sipas policisë së Vlorës, Altin Imeraj dhe Erviz Zylfaj, etiketohen si persona problematikë. Në Vlorë ata njihen dhe si individë që janë marrë me aktivitet kriminal kryesisht të trafikut të drogës në Itali dhe disa shtete të tjera të Europës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/